Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se i ka anuluar sulmet kundër Iranit me kushtin që të arrihet një marrëveshje “e shpejtë” me këtë vend.
Në një postim në “Truth Social”, presidenti amerikan ka pohuar se Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme i kërkuan të “përmbahej” nga çdo sulm, pasi ishin dakordësuar për “parametrat” e një marrëveshjeje. Sipas tij, kjo marrëveshje do të përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe dhënien fund të kërcënimit bërthamor të Iranit.
Komentet e tij pasuan raportimet e mediave amerikane se Uashingtoni ishte duke planifikuar sulme të reja dhe intensive ndaj Iranit gjatë fundjavës.
Të shtunën, Teherani ka akuzuar SHBA-në për përshkallëzim të tensioneve, duke deklaruar se çdo shtet rajonal që bashkëpunon me Uashingtonin do të “përfshihej nga flakët e luftës”.
Ndërkohë, qeveria amerikane u ka bërë thirrje amerikanëve në mbarë Lindjen e Mesme të jenë vigjilentë dhe të gatshëm për t’u larguar “nëse do të ketë përshkallëzim” në rajon.
“Amerikanët që ndodhen aktualisht në Lindjen e Mesme duhet të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, si dhe të jenë të përgatitur për anulime fluturimesh, mbyllje të herëpershme të hapësirës ajrore dhe ndërprerje të mundshme të udhëtimeve”, thuhej në njoftimin e sigurisë të lëshuar të shtunën.
Burime të shumta i kanë thënë më parë “CBS Neës”, se SHBA-ja dhe Izraeli po planifikonin atë që do të ishte një nga fushatatat më të ashpra të bombardimeve të kryera ndonjëherë kundër objektivave të infrastrukturës energjetike në Iran.
Plani u diskutua gjatë mbledhjes së kabinetit të Trumpit të premten, kanë thënë burimet për “CBS Neës”.
Në postimin e tij, Trumpi ka shtuar më tej se SHBA-ja ishte “plotësisht e armatosur dhe gati për të vepruar kundër Republikës Islamike të Iranit, me nivele të tmerrit ushtarak, forcës dhe fuqisë që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Ai ka thënë se anulimi i sulmit bëhej “për të mirën e së ardhmes së botës dhe, po ashtu, për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë”.
Irani ende nuk i është përgjigjur njoftimit të Trumpit.
