Promovim i paqes dhe urave ndërkulturore! 48 vullnetarë amerikanë betohen për shërbim në Maqedoni

TË FUNDIT

Grupi me 48 vullnetarë të Korpusit të Paqes nga SHBA-të bëri betimin që do të shërbejnë në shkolla, shoqata qytetare, organizata, komuna si dhe në komunitetet e tyre ku jetojnë dhe veprojnë në Maqedoninë e Veriut. Ambasadorja e SHBA-ve Angela Ageler deklaroi se ata do të vazhdojnë të punojnë dhe të krijojnë vullnet të mirë në këtë vend si ambasadorë të SHBA-ve, ku siç tha misioni është promovimi i paqes dhe miqësisë.

“Vullnetarët e përfaqësojnë më të mirën e asaj që Amerika ka për t’i ofruar botës dhe në të njëjtën kohë, ata e marrin me vete më të mirën e asaj që Maqedonia e Veriut ka për t’i ofruar botës. Ata ndërtojnë ndër vite ura të qëndrueshme mes njerëzve të dy vendeve tona, të cilët koha nuk i thyen, edhe pas përfundimit të shërbimit të vullnetarëve”, deklaroi Angela Ageler – Ambasadore e SHBA.

Drejtori i Korpusit të Paqes, Dejvid Risajd, shprehu besimin e tij ndaj vullnetarëve.

“Kam besim të madh tek secili prej këtyre amerikanëve dhe aftësia e tyre për të bërë një ndryshim në jetët që do të prekin gjatë shërbimit të tyre”, u shpreh Dejvid Risajd – drejtor i Korpusit të Paqes.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska tha se prezenca e tyre nuk është vetëm simbol i vullnetarizmit por edhe dëshmi për të ndërtuar ura mes njerëzve.

“Më lejoni që t’u drejtohem dhe t’u dëshiroj fillim të mbarë të 48 miqve, që do të jenë të angazhuar në 20 shkolla fillore, 5 shkolla të mesme, 2 qendra burimesh për nxënës me nevoja të posaçme arsimore, një shkollë për personat me shikim të dëmtuar dhe një çerdhe”, potencoi Vesna Janevska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Në ceremoninë e betimit ishte edhe presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova.