Prokurorja që futi në burg Mijallkovin! Mariçiq: “Lençe le të konkurojë në konkurset e radhës”

TË FUNDIT

Së pari thanë se është tepër e re, pastaj se nuk ka përvojë pune të mjaftueshme për t’u zgjedhur prokuror i lartë në Prokurorinë e Lartë. Lençe Ristovska ishte emri i vetëm prej kandidatëve që nuk u zgjodh nga Këshilli i prokurorëve ku pasuan reagimet në opinionin  publik. Ristoska me dy kolegët e saj mbaroi hetimin e ndërlikuar të PPS-së me të cilin u dëshmua përgjimi joligjor i qytetarëve, ndërsa i akuzuari Sasho Mijallkov u burgos me dënim të shkallës së parë prej 12 viteve. Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq, nuk e komenton mos përzgjedhjen e Ristoskës. Sipas tij, ky ka qenë vlerësimi i Këshillit të prokurorëve publikë.

 “Mendoj se nuk është e kontestueshme se ajo është prokurore cilësore, atë e tregoi në vepër. Në fakt, qeveria me marrëveshje me Prokurorinë e propozoi për përfaqësuese të Euroxhastit, ky është rrjet evropian për bashkëpunim gjyqësor-prokuror në Hagë, ku ajo e përfaqëson shtetin. Mendoj se me këtë e kemi treguar mendimin tonë”, deklaroi për TV21, Bojan Mariçiq – Ministër i Drejtësisë.

Mariçiq mendon se Këshilli i prokurorëve ka mënyrë dhe kritere për të vlerësuar se cilët prokurorë duhet të zgjidhen, ndërsa qeveria në atë pjesë nuk ka të drejtë dhe nuk duhet të komentojë

 “Duhet pasur parasysh se ky është vetëm rrethi i parë i zgjedhjes. Unë jam i sigurt se në të ardhmen do të ketë edhe zgjedhje të tjera të prokurorëve në nivele të ndryshme, kështu që çdo prokuror i mirë dhe cilësor i cili ka se çfarë të ofrojë mund të shpresojë dhe të konkurrojë për t’u zgjedhur në të ardhmen. Ky nuk është konkurs i parë dhe i fundit ose shpallje në të cilën zgjidhen prokurorë”, tha për TV21, Mariçiq.

Sipas ligjit për Prokurorinë Publike, në kushtet e përgjithshme apo në ato të veçantat nuk shkruan se mosha luan rol gjatë zgjedhjes së prokurorit publik, përveç kushtit për aftësi për punë. Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e prokurorit të lartë, kushti i veçantë është stazhi prej minimum 6 vite punë si prokuror. Për më shumë vite stazh, nuk ekziston dispozitë se kjo sjell më shumë pika. Në krahasim me kandidatët e zgjedhur, Ristoska është ndër më të rinjtë por jo edhe më e reja. Prokurorja Fetai është me e re se ajo, është e lindur në vitin 1985 ndërsa këtë vit e festoi ditëlindjen 36. Prokurorja Ristoska është e lindur në 1983.

Kur bëhet fjalë për stazhin e prokurorëve, Fatime u zgjodh prokurore në vitin 2011 dhe ka stazh prej 8 vjet e 8 muaj (deri në momentin e publikimit të konkursit), ndërsa Ristoska në vitin 2013 dhe stazhi i saj si prokuror është 6 vjet dhe 10 muaj (deri në momentin e publikimit të konkursit). Të dyja u vlerësuan  me pika maksimale, 25.

Përndryshe, sipas ministrit të Drejtësisë është lajm i mirë për sistemin e jurisprudencës që pas një kohe  të gjatë zgjidhet një numër i caktuar prokurorësh edhe në Prokurorinë e Lartë edhe në Prokurorinë për krim të organizuar.