Prokuroria ndjek Kovaçevskin dhe Grubin/ MPB: Dyshime për korrupsion, Grubi e Bajrami në arrati

TË FUNDIT

Prokuroria e Shkupit ka ngritur hetim për korrupsion kundër 8 personave, në mesin e të cilëve janë ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, Ish-drejtori i Lotarisë së Maqedonisë Përparim Bajrami, një sekretar gjeneral dhe persona të tjerë të inkriminuar në këtë rast. Gjatë bastisjes në shtëpinë e Grubit dhe Bajramit janë sekuestruar 20mijë, përkatësisht 40 mijë euro. Ministri i Brendshëm Toshkovski tha se të gjithë kryerësit të veprave do të ndëshkohen, duke i bërë ftesë Grubit që të kthehet në vend nëse është i pastër ashtu siç është deklaruar në rrjetet sociale. Sipas autoriteteve dëmi në buxhet e shtetit nga këto vepra penale llogaritet të jetë mbi 8 milionë euro.

“Do të doja t’i besoja kur tha se është i pastër si loti, madje i bëj thirrje të kthehet në Maqedoni nëse akoma nuk është kthyer dhe të ju mundësoj institucioneve ta zhvilloj procesin hetimor dhe ta vërtetojmë drejtësinë. Ai do të ketë të gjitha të drejtat e garantuara me ligj për zhvillim të një procesi ligjorë, sa i përket sigurisë personale ne do ti ofrojmë të drejtën institucionale që i takon dhe do të veprohet sipas ligjit”, tha Pançe Toshkovski.

Aksioni i dytë mbrëmë ka rezultuar me shkatërrimin e grupit kriminal “Bellanoca-Baron”, ku janë bërë kallëzime penale ndaj 18 personave, 14 prej të cilëve në cilësinë e kokave të grupit dhe ekzekutorëve, të cilët dyshohen për vrasje me pagesë, porositje të cilat janë paguar nga 10 mijë deri 250 mijë euro, në periudhën nga viti 2020-2024, në 6 vepra penale janë vrarë 8 persona, 3 persona ishin të plagosur rëndë dhe 3 persona të tjerë ishin në rrezik për jetën. Porositë kanë ardhur edhe nga burgu, ku janë ndjekur viktimat dhe janë planifikuar koha, vendi dhe mënyra e ekzekutimit nga gjuajtësit e grupit.

“12 persona janë të dyshuar edhe për veprën penale Shoqërim Kriminal, ndërsa 5 dhe për veprën e krimeve të rënda kundër sigurisë publike. 4 personat e tjerë akuzohen për veprën penale të zhvatjes. Prokurori publik, kërkon paraburgimin e 4 personave të privuar nga liria, ndërsa 3 nga të dyshuarit janë në vuajtje të dënimit me burgim dhe 2 persona janë në paraburgim për krime nga vepra të tjera penale. Për 2 të dyshuar nga më parë janë lëshuar urdhra ndërkombëtarë dhe 6 janë të pakapshëm për autoritetet e zbatimit të ligjit”, thotë Prokuroria Themelore Publike-Shkup

Aksioni i MPB-së, Policisë financiare dhe Prokurorisë ka pasur edhe asistencë të armatës për detektor të bunkerëve nëpër objekte dhe oborre të dyshuarve, ku janë përdorur edhe bulldozer në gjetjen e tyre. Aksioni u zhvillua në rajonin e komunave Çair, Haraçinë, Shuto Orizarë, Butel dhe Studeniçan, bastisje në 30 lokacione dhe janë gjetur një sasi e madhe parash, vetura, stoli ari, armë zjarri, pajisje elektronike.

“Një pjesë e tyre do të nxirren gjatë ditës para gjykatësit të procedurës paraprake, po një pjesë e tyre kanë ikur nga territori i Maqedonisë para një kohe të gjatë. Por, njëri nga ata në 10 minuta para se të hyjë në objektin ku ai qëndronte është kthyer dhe të njejtin nuk kemi arritur ta arrestojmë”, deklaroi Pançe Toshkovski.

Ndërsa, aksioni i tretë ndërkohë i zhvilluar në Strugë dhe Gostivar, janë ngritur kallëzime penale për 4 persona me dyshimin e organizatës terroriste që kanë formuar organizatë “Qelia” nga financimi i ISIS me qëllim të akteve terroriste të objekteve publike, thonë nga MPB. Hetimi tregon se të dyshuarit në rrjetin social “Telegram” kanë shpërndarë materiale propaganduese dhe kanë rekrutuar persona,, kanë blerë materiale për bomba artizanale, të cilat janë sekuestruar së bashku me një pistoletë, dy laptop dhe dy celularë ku dëshmohet formimi i qelisë nga organizata terroriste ISIS për materiale në gjuhën shqipe.