Prokurori Hajrullahi i suspenduar: Presion politik për të më diskredituar

TË FUNDIT

Prokurori i lartë publik i Shkupit, Mustafa Hajrullahi, i cili u suspendua nga posti i tij, mbajti një konferencë për media ku akuzoi për presion dhe manipulim ndaj tij nga prokurori republikan publik, Ljupço Kocevski. Sipas Hajrullahut, Kocevski synon “të heshtë dhe ta largojë”, duke dërguar mesazh frikësimi edhe tek prokurorët e tjerë që veprojnë në përputhje me ligjin. Në deklaratën e tij, Hajrullahi theksoi se ishte nën presion për shkak të punës së tij në rastin e bonuseve në ish-Prokurorinë Speciale Publike. Sipas tij, disa punonjës të Prokurorisë së Lartë kanë bërë kallëzim për mobing ndaj tij.

“Vendimi është skandaloz shkaku i asaj që kryeprokurori, në bazë të asaj shkrese të cilën e kanë bërë disa të punësuar nga Prokuroria e Lartë, të cilët janë ankuar për mënyrën se si unë sillem me ata, që është skajshmërish e pavërtetë, të njëjtën shkresë e ka formuar në padi penale, në të njëjtën ditë, më 31 tetor”, tha Mustafa Hajrullahu

Prokurori Hajrullahu në Këshillin e Prokurorisë Publike ankimoi vendimin e Prokurorisë Themelore për suspendimin e tij nga posti i prokurorit të lartë në Prokurorinë e Lartë të Shkupit. Hajrullahi tha se vendimi është tendencioz, dhe se i njëjti është marrë në ditën kur ai ka shpalosur, siç e quan ai, një skandal, ku shihet vajza e kryeprokurorit Ljupço Kocevski, duket shpërndarë materiale me një medium.

“Është tendencioz shkaku që para disa ditëve shpalosa një skandal nga i cili vet vajza e kryeprokurorit jep materiale te një medium i cili pastaj të njëjtat i publikon me qëllim që të më nxijë mua si person dhe punën time si shef i prokurorisë së lartë”, tha Hajrullahu

Hajrullahu, tha se materialet janë shpërndarë te mediumi i caktuar për ta, siç tha ai, njollosur personalitetin e tij. Ai shpjegoi se kjo ankesë është e pabazë dhe nëse është e rëndë duhet të shqyrtohet në Gjykatën Civile. Ai shprehu dyshimin se denoncimi është pjesë e një taktike për diskreditimin dhe frikësimin e tij, të nisur nga një udhëzim i autoriteteve të larta të prokurorisë.