Projekti që do krijojë mijëra vende pune

TË FUNDIT

Termocentrali i ri ishte çështje e bisedimeve gjatë takimeve vjetore të Bankës Botërore nga mesi i prillit në Washington. Ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë kësaj vizite tha se projekti ‘do të ketë dy blloqe me kapacitete prej 330 megavatësh secili me një kosto që llogaritet të jetë rreth 1.4 miliard euro.

Kompania e energjisë elektrike, me seli në New York, “ContourGlobal” shpreson që të fillojë ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë gjatë 18 muajve të ardhshëm, projekt ky që pritet të krijojë mijëra vende të reja pune.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, zëvendëspresidenti Garry Levesley, ka theksuar se projekti ka marrë mbështetjen si nga Banka Botërore ashtu edhe nga Administrata Amerikane.

Termocentrali do të ndërtohet pranë termocentraleve të vjetra, me qëllim të zgjidhjes së problemit me energji elektrike.

“ContourGlobal”, është investuesi vetëm në fushën energjetike edhe në Bullgari. Përmes ofertës që ka prezantuar, kjo kompani ka konfirmuar se është e gatshme dhe ka kapacitet financiar për të investuar deri në 30% të kostos së përgjithshme të investimit si dhe se ka qasje në kredi për pjesën e mbetur prej 70% të kostos së investimit të termocentralit.

Në 15 vitet e fundit para dhe pas shpalljes së pavarësisë, qeveritë e Kosovës kanë bërë plane e strategji, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të reja energjetike, një termocentrali të ri të quajtur herë “Kosova C” e herë “Kosova e Re”./21MEDIA