“Profesorët të bëjnë punime shkencore”! Kryeministri me kritika: Duan paga të larta, por nuk punojnë

TË FUNDIT

Ligji i ri për arsimin e lartë është bërë pikë përplasjeje mes pushtetit dhe botës akademike, të cilët mendojnë se kjo zgjidhje ligjore do ta cenojë autonominë e universiteteve. Kryeministri Hristijan Mickoski me kritika ndaj tyre, thotë se nuk duan të punojnë dhe frikësohen nga kriteret e reja për zgjedhjen në thirrje akademike.

“Të gjithë ata spekulatorë politikë që publikisht thonë se janë kundër ligjit dhe se gjoja në këtë mënyrë po cenohet autonomia, improvizojnë dhe manipulojnë. Ata duan të punojnë një ditë në javë, duan paga 120-150.000 denarë, por nuk duan të shkruajnë asnjë punim në vit, që është puna e tyre”, tha Micksoki.

Ministrja e Arsimit Vesna Janevska thotë se më parë janë pranuar disa sugjerime, veçanërisht nga fakultetet e artit.

“Arritën disa sugjerime nga fakultetet e artit, unë dhe ekipi patëm takim me dekanët e tre fakulteteve të artit në “Qirili dhe Metodi”, u pajtuam për një ndryshim që mendoja se, jo vetëm unë por edhe i gjithë ekipi, ishte i arsyeshëm dhe kërkesa e tyre ishte e arsyeshme dhe ajo është përfshirë. Pas ngjarjes dje në Qeveri ku patëm takim me 7 rektorët dhe me shumë profesorë nga të gjitha universitetet në vend, ligji tashmë është mbyllur dhe do të shkojë në procedurë qeveritare”, deklaroi Janevska.

Po profesori Bashkim Ziberi në emisionin “Klik plus” në TV21 tha se vërejtjet e universiteteve nuk janë marrë parasysh, ndërsa çështja e autonomisë lidhet në fakt me buxhetin universitar.

“Një pjesë e këtyre vërejtjeve, duke filluar nga autonomia — autonomia për mua është pak më pak problem sepse prek vetëm pjesën financiare dhe mendoj se në versionin e fundit ky pjesë mund të eliminohet, përkatësisht Ministria e Financave të mos ketë ndikim direkt në buxhetin e universiteteve”, u shpreh Ziberi.

Dje në Qeveri u mbajt një takim koordinues për ligjin e ri për arsimin e lartë, ku morën pjesë edhe rektorët e universiteteve, të cilët dhanë mbështetje për zgjidhjen e re ligjore.