“Trajtim të barabartë për të gjithë”, “Edhe ne jemi universitet publik”… këto ishin vetëm disa nga pankartat që po i mbanin në duar profesorët e 5 universiteteve, të cilët sot dolën në protestë. Ata shprehen të diskriminuar, pasi shteti ua rriti rrogat për 22%, vetëm profesorëve të USHKM. Profesorët e UNT-së nw Shkup, thanë se janë, kundër siç i quajtën, standardeve të dyfishta.
“Me miratimin të të gjitha sindikatave të 5 universiteteve publike të anashkaluara e të diskriminuara nga mosnënshkrimi i marrëveshjes kolektive prej Kuvendit të RMV, po e mbajmë sot këtë protestë të qetë. Sindikatat e përshëndesin zbatimin e marrëveshjes kolektive nga ana e Qeverisë me UKIM-in por njëherësh janë edhe kundër standardeve të dyfishta të diskriminimit dhe pabarazisë ndaj universiteteve të tyre pasi e gëzojnë të njëjtin status”, u shpreh Avni Avdiu, kryetar i Sindikatës në Universitetin “Nënë Tereza”.
“Ne jemi të revoltuar me këtë trajtim të pabarabartë edhe tonin por edhe të kolegëve tanë të universiteteve tjera publike që Qeveria e RMV-së dhe Kuvendi nuk po gjejnë mënyrë të dalin nga ky ngërç”, tha Sunaj Raimi, profesor në UNT.
“Të gjithë bëjmë punën e njëjtë pra edhe përgjegjësitë edhe obligimet tona janë të njëjta, në këtë kontest nuk ka pse një universitet shtetëror të jetë i privilegjuar nga të tjerët”, vlerëson Murat Aliu, profesor në UNT.
Protesta pati edhe në UT – Tetovë, e aty ishte edhe deputeti Arbër Ademi, njëkohësisht edhe profesor. Ai shpreson që gjatë ditës së nesërme do të ketë seancë të posaçme, pasi sot kanë dorëzuar propozim ligjin në Kuvend .
“Është pengesa ligjore në bazë nenit 8a të kodit zgjedhor. Kryetari i Kuvendit edhe pse dëshiron nuk do të mund të lidhë marrëveshje kolektive në këtë fazë për arsye se janë shpallë zgjedhjet, mirëpo të gjitha ato despozitat të cilat kanë të bëjnë me pagat, të cilat janë të përfshira në marrëveshjen kolektive të cilën USHKM në Dhjetor të 2022 e ka lidhur me kryetarin e Kuvendit të njëjtat i kemi inkorporuar në propozim ligj”, shprehet Arbër Ademi, profesor në UT.
Kryeministri teknik Talat Xhaferi tha se marrëveshja kolektive është në kompetenca të Kuvendit, por me miratimin e tyre, një pjesë e obligimeve do të bartet në Qeveri.
“Tema aktuale që u hap është çështja e marrëveshjeve kolektive, të cilat paraprakisht duke qenë në funksionin e kryetarit të parlamentit me të gjithë rektorët e universiteteve kam pasur takime të duhura për t’i udhëzuar për t’i parë se kush çfarë duhet të bën në suaza të atij obligimi, dhe për çështjen parësore është kompetencë e parlamentit, por me miratimin e marrëveshjeve kolektive një pjesë e kompetencave dhe obligimeve për realizim të të njëjtave do të bartet në Qeveri gjegjësisht në ministritë përkatëse”, tha Xhaferi.
Ndryshe sot në protestë ishin edhe profesorët e universiteteve “Goce Dellçev” – Shtip, Shën Klimenti i Ohrit dhe “Shën Apostull Pavle”. Në të kundërtën nëse nuk zgjidhet problemi sindikatat paralajmërojnë protesta para Kuvendit.
