Procesi për rigjykimin e “Alfës” nuk lëviz vendit! Dauti: Vdekja e Qerimit, po ia rëndon gjendjen psikologjike Agim Islamit

TË FUNDIT

Ramiz Dauti, i afërm i të dënuarit për rastin “Alfa”, Agim Islami, thotë se atij prapa grilave po i rëndohet gjendja psikologjike pas vdekjes së të dënuarit Rexhail Qerimit.

“Gjendja e Agimi është e rënduar tash më shumë se sa në fillim kur ishte i burgosur si i pafajshëm të cilat janë momente të rënda tani janë shumëfishuar. Nuk mund të them është dyfishuar sepse është pak. Agimi është në gjendje të rëndë, është ftohur në aspektin e drejtësisë”, tregon Dauti.

Ekspertiza e re për rastin Alfa për momentin është në Gjykatën Penale e cila duhet ta dërgojë për mendim në Prokurori dhe Byronë për Ekspertizë. Kjo ende nuk ka ndodhur, sepse gjykatësi që ende është i infektuar me Covid. Se ku ka ngecur çështja, nuk morëm asnjë përgjigje nga Penalja.

Dauti thotë se nuk e kuptojnë se përse po zvarritet kaq shumë kur ka dëshmi të reja mbi rastin. Thekson se nëse edhe ditëve në vijim lënda nuk merret me seriozitet, s’u ka mbetur gjë tjetër, pos të shkojnë para banesave të gjykatësve dhe prokurorit për t’ua treguar hallin.

“Mendoj se duhet shkuar edhe në shtëpitë e tyre me një batanije para derës që jo më shumë vetëm fëmijët e vet të na shohin se çfarë halli kemi ne, prej prindërve të tyre, për shkak se janë individ janë persona që duhet të marrin vendim. Ne nuk po kërkojmë ata të na bëjnë ndonjë favor neve, as nuk po kërkojmë ndihmë prej atyre. Thjeshtë kërkojmë ta zbatojnë ligjin, ta vendosin rigjykimin, ekspertizën që e kanë kërkuar e kemi dhënë, shumë mirë e dimë që çdo fakt i ri për ndonjë vepër penale mundëson rigjykimin”, tregon më tej Dauti.

Avokatja e Agim Islamit, Artene Iseini, thotë se gjykata ka tejkaluar çdo limit kohor për të vendosur mbi një lëndë e cila është e kategorisë me urgjencë.

Përndryshe, për nder të të ndjerit Rexhail Qerimit, të premten do të organizohet marsh protestues, i cili do të fillojë nga sheshi “Skënderbeu” në Shkup dhe të përfundojë para zyrave të BE-së në Shkup.