Procedurë ndaj katër të miturve për dhunë ndaj një 12-vjeçareje! Prokuroria kërkon masa mbrojtëse gjatë procedurës

TË FUNDIT

Prokuroria Publike e Shkupit ka kërkuar nisjen e procedurës përgatitore ndaj dy vajzave 14-vjeçare dhe dy djemve të mitur, për shkak të dyshimeve për dhunë dhe incizim të paautorizuar të një ngjarjeje të dhunshme ndaj një vajze 12-vjeçare. Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 30 qershor, në një kënd lojërash pas një qendre tregtare në Shkup, ku dy vajzat dyshohet se, së bashku me një fëmijë tjetër të moshës 13-vjeçare, kanë ushtruar dhunë ndaj të miturës dhe i kanë rrezikuar sigurinë.

Sipas dyshimeve, vajzën e kanë detyruar të gjunjëzohet dhe të kërkojë falje, ndërsa më pas e kanë goditur dhe i kanë tërhequr flokët. Nga sulmi, ajo ka pësuar lëndime trupore. Prokuroria ka kërkuar procedurë edhe ndaj një 15-vjeçari, i dyshuar se ka ndihmuar në kryerjen e veprës përmes këshillave dhe nxitjes, si dhe ndaj dy djemve të mitur për incizim të paautorizuar të dhunës dhe shpërndarjen e videos pa pëlqimin e viktimës.

Gjatë procedurës, prokurori publik ka kërkuar nga gjykata të caktojë masa kujdesi, me ndalim që të miturit në konflikt me ligjin të afrohen ose të krijojnë kontakte mes tyre dhe me viktimën.