Largimi i shpejtë dhe i madh i të rinjve, që shkakton sfida serioze në shumë vende, sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është problem serioz edhe për Bashkimin Evropian.
Edhe vendet e këtij blloku janë të goditura nga ndikimi që këto lëvizje demografike kanë në ekonomitë e tyre, si dhe në parashikimin e së ardhmes, sidomos në tregun e punës.
Prandaj, në BE thonë se janë duke punuar në disa projekte, që kanë synim ta zbusin efektin negativ që shkakton i ashtuquajturi fenomen i “ikjes së trurit“, e që nënkupton largimin e të rinjve dhe të fuqisë punëtore nga një vend drejt një vendi tjetër.
Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, si Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia, janë duke u përballur me largime të mëdha të fuqisë punëtore. Kjo ka bërë që në këto vende të zvogëlohet dukshëm fuqia punëtore dhe të vihet re edhe mungesa e disa kategorive të punëtorëve në tregun e punës.
Por, në të njëjtën kohë, edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, sidomos ato nga Evropa lindore, janë duke u përballur me këtë fenomen. Kroacia, ndoshta, më së shumti.
Për herë të parë, ky vend, sipas regjistrimit të popullsisë, ka rënë nën 4 milionë banorë. Për dhjetë vjet, që është anëtare e BE-së, Kroacia ka humbur gjysmë milioni banorë.
Krahas problemit kronik që kanë të gjitha vendet evropiane – zvogëlimit të vazhdueshëm të numrit të lindjeve – Kroacia ka regjistruar edhe largim masiv të të rinjve në vendet e tjera të BE-së.
Duke përfituar nga liria e lëvizjes së punëtorëve brenda tregut të përbashkët, shumë të rinj nga Kroacia kanë shkuar të punojnë në vende si: Irlanda, Gjermania dhe Austria.
Ky fenomen është regjistruar më herët edhe në vendet që kanë hyrë në BE para Kroacisë, si: Bullgaria, Rumania dhe Polonia.
Largimi i të rinjve, në kërkim të një vendi më të mirë të punës, ka pasur disa efekte pozitive.
Kroacia, për shembull, kur ka hyrë në BE në vitin 2013, ka pasur nivelin e papunësisë 17 për qind. Tash e ka diku rreth 6 për qind.
Por, Kroacia ka deficit të fuqisë punëtore, sidomos në fushën e turizmit dhe ndërtimtarisë. Këtë, ky vend, sikurse edhe vendet tjera të Evropës lindore, po e plotëson me fuqi punëtore nga vendet e treta, jashtë BE-së.
Vitin e kaluar, Kroacia ka shënuar rekord të dhënies së lejeve të punës për shtetasit e huaj, sidomos nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Dubravka Shuica, që është e caktuar të kujdeset për demografi dhe demokraci, thotë se për Bashkimin Evropian, zgjidhja më e shpejtë është migrimi i kontrolluar, sepse, siç thotë, pa ardhjen e fuqisë punëtore nga jashtë, ekonomia e BE-së do të humbë përparësitë ndaj konkurrencës.
Shuica, kur ka prezantuar disa herë planet e Komisionit Evropian për t’u përballur me këto sfida demografike, ka konstatuar se problemi i lëvizjes së të rinjve dhe fuqisë punëtore, nuk është vetëm nga lindja drejt perëndimit, nga një vend i BE-së në tjetrin, por edhe brenda shumë vendeve – nga zonat rurale në qytete.
Kjo, sipas Komisionit Evropian, ka thelluar edhe më shumë dallimet mes rajoneve në aspektin demografik. Prandaj, ka tërhequr vërejtjen Shuica, zvogëlimi i papunësisë në vendet e BE-së nuk duhet parë vetëm si gjë pozitive.
“Niveli i ulët i papunësisë është arritur, mes tjerash, edhe për shkak të ndryshimeve demografike. Tepër pak të rinj hyjnë në tregun e punës, lidin gjithnjë e më pak fëmijë, ndërkohë që ka lëvizje drejt vendeve tjera dhe dalje në pension, si rezultat i plakjes së popullsisë“, ka thënë Shuica disa herë gjatë debateve me qytetarë dhe me agjenci evropiane që merren me sfidat demografike.
Komisioni Evropian dëshiron të investojë në atë që e quan “migrim i kontrolluar“ dhe të bashkëpunojë me vendet e treta, të cilat do t’i edukonin punëtorët përpara se të hynin në BE. Por, duhet të përballet edhe me sfidë tjetër, sepse duke i tërhequr të rinjtë dhe fuqinë e kualifikuar të punës drejt BE-së, do të shkaktojë “ikje të trurit” në ato vende./rel
