Një zyrtar saudit ka konfirmuar se Meka, qyteti më i shenjtë i Islamit, pritet së shpejti të ketë një aeroport, përcjell TV21. Në një intervistë për Harvard Business Review Arabia, Saleh Al-Rasheed, Drejtor Ekzekutiv i Komisionit Mbretëror për Qytetin e Mekës dhe Vendet e Shenjta (RCMC), deklaroi se “udhëzimet strategjike, ekonomike dhe të investimeve për Aeroportin e Mekës janë miratuar”.
Ai shtoi se, si pjesë e këtij projekti, Komisioni Mbretëror – një entitet qeveritar përgjegjës për zhvillimin, planifikimin dhe ofrimin e shërbimeve në Mekë dhe zonat përreth – do të bashkëpunojë me sektorin privat për të krijuar një model të përshtatshëm investimi.
Aktualisht, Meka nuk ka një aeroport ndërkombëtar funksional. Shumica e vizitorëve ndërkombëtarë fluturojnë drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Mbretit Abdulaziz në Xheda, rreth 100 kilometra larg, dhe më pas udhëtojnë drejt Mekës me rrugë tokësore.
Në vitin 2024, Arabia Saudite testoi mjete ajrore autonome elektrike për të eksploruar mundësitë e përdorimit të tyre në raste emergjente, si dhe për shpërndarjen e pajisjeve mjekësore, raportoi Arab News.
Megjithatë, terreni malor i Mekës paraqet sfida për ndërtimin dhe operimin e një aeroporti, përfshirë turbulencat, qasjet e vështira dhe problemet e mundshme me dukshmërinë dhe kushtet atmosferike.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Përgjithshëm për Statistikat (GASTAT), vitin e kaluar Arabia Saudite priti mbi 1.5 milion pelegrinë të huaj për Haxh, ndërsa numri total i pelegrinëve arriti në më shumë se 1.6 milion.
