Ndër çështjet e para që do ta shqyrtojnë në mbledhjen e parë të Qeverisë do të jenë kazinot dhe lojërat e fatit paralajmëroi zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në Daily Click, mirëpo për fatin përfundimtar të tyre thotë se do të njoftojë kur të ketë epilog konkret.
Mexhiti: Në mbledhjet e para, rishqyrtimin e procesit të përzgjedhjes sidomos online kazinove dhe shpërndarjes së hatashme në çdo lagje.
TV21: Cili është plani? Cili do të jetë fati i lojërave të fatit dhe i kazinove. E para duhet ta dijmë për këto që janë me objekte jo online. A do të mbyllen të gjitha, a do të largohen nga qytetet? Cili është vizioni juaj?
Mexhiti: Ajo që mund ta them sot është se me vet faktin që në bisedime nuk e kemi marrë si drejtori, në mbledhjet e para të qeverisë, temë të parë që do e ngrejmë dhe do të kërkojmë rishqyrtim dhe zgjidhje, është e mjaftueshme se jemi të përkushtuar në këtë drejtim.
Çështje tjetër që u shtrua në Daily Click ishin edhe zonat e lira ekonomike. Mexhiti thotë se shumë pak është lëvizur në zonat e lira në Tetovë, Strugë e Kërçovë ndërsa shprehet se mbi 1 miliard euro investime kanë shkuar në zonat e lira lindore.
“Një ndër çështjet që po merremi në ditët e para është që së paku fillimisht ta ruajmë zonën ekonomike të Vizbegut, e mandej të trajtohet edhe ajo zonë si zonat tjera në këtë shtet. Për ta rumbullakësuar, do të jetë përkushtim i përditshëm i yni në funksion të zonave ekonomike të investimeve në këto zona, t’i ndihmojmë ato, sepse duke i ndihmuar ato do të ketë më shumë vende pune më shumë zhvillim dhe një arsye më pak për të ikur”, tha Izet Mexhiti – zëvendëskryeministër i parë.
Përndryshe, si zonat e lira ekonomike ashtu edhe lojërat e fatit, ishin pjesë e premtimeve kryesore të koalicionit VLEN gjatë fushatës zgjedhore. VLEN në programin e saj ka paraparë edhe zona të lira ekonomike ndërkufitare me Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Sa i përket lojërave të fatit, patën paralajmëruar mbylljen e tërësishme të kazinove dhe kredive të shpejta. Për këto të fundit, patën paralajmëruar madje edhe shlyerjen e borxheve të të gjithë qytetarëve që kanë ndaj bankave për kredi të shpejta.
