Prindërit e fëmijës, i cili dje ndërroi jetë, demantojnë pohimet e autoriteteve shëndetësore të cilat thonë se fëmija ka ndërruar jetë nga fruthi. Orhan Shabani thotë se djali i tij Miraxhi, tashmë i ndjerë, ka vuajtur 6 muaj nga sëmundja në mushkëri. Ai fajëson mjekët, dhe thotë se ata nuk e kanë trajtuar të birin e tij si duhet. Edhe raportet shëndetësore që i filmuam dëshmojnë se foshnja e ndjerë ka qenë e diagnostikuar me Bronkopneumoni.
“Djali jem nuk ka ndërruar jetë nga fruthi, ajo është vetëm tre ditëshe i kaloi, si çdo personi. Djali im më herët ka pasur bronkit dhe ka pasur me pneumoni probleme. Ka fjetur 11 ditë në “Kozle” atje lart në Vodno, pastaj ka qëndruar në infektologji dy ditë dhe nuk e kanë marrë në dorë sa duhet djalin tim, vetëm ia kanë dhënë një infuzion, një terapi të vogël ia kanë dhënë dhe më hollësisht nuk e kanë kontrolluar”, tha Orhan Shabani.
Edhe nëna e Miraxhit, Sureja, thotë se djali i tij nuk është trajtuar si duhet nga ana e doktorëve. Ajo thotë se është shëtitur me muaj nëpër spitale, ndërsa fruthin thotë se djali i saj e ka marrë në spitalin e “Kozles”. Sipas saj, Mirazhi ka ndërruar jetë, 2 jave pasi i kishte kaluar fruthi.
“Nuk kanë marrë masa dhe të na tregojnë se e ka fruthin. Nga Spitali për sëmundje të fëmijëve i thirrën në telefon dhe u treguan se shumë vijnë me fruth nga Kozle, dhe nuk ka qenë vetëm i imi. Të gjitha shoqet që kemi qëndruar aty të gjitha i kanë pasur fëmijët me fruth. Mjekësia shumë e dobët”, u shpreh Sureja Shabani.
E pyetëm drejtoreshën e “Spitalit të fëmijëve”, se përse në certifikatën e vdekjes së Miraxhit të vogël figuron se ka ndërruar jetë nga fruthi. Ajo tha se askush nuk vdes nga Pneumonia e thjeshtë dhe se foshnja ka ndërruar jetë nga komplikime të shkaktuara nga fruthi. Sipas saj për shkak të fruthit fëmija ka marrë Bronkopneumoni. Edhe nga Shëndeti Publik një ditë më parë thanë se foshnja nuk ka pasur ndonjë sëmundje tjetër dhe se pas fruthit ka marrë pneumoni.
Ndryshe tetë raste të reja me fruth janë regjistruar gjatë ditës së djeshme në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, tre prej të cilëve janë hospitalizuar. Bëhet fjalë për një foshnje 4 muajshe nga Studeniçani, pacient 38 vjeçar nga Buteli i pa vaksinuar, pacient 25 vjeçar nga Çairi, i vaksinuar. Për momentin në Klinikën Infektive në Shkup qëndrojnë të shtrirë gjithsej 37 pacientë. Pesë pacientë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërkaq më kritike paraqitet gjendja tek një paciente me paralizë cerebrale e cila ka pneumoni të rëndë.
Përgatiti: Almedina Ismajli
