Çdo ditë rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Prilep. 14 raste të reja u konfirmuan gjatë ditës së djeshme, me çka ky qytet u rendit në vendin e tretë sipas numrit të të infektuarve. Numri i përgjithshëm me tre rastet e reja sot, shkoi në 75, prej të cilëve 6 persona janë personel mjekësor. A bëhet Prilep vatra e re dhe a ka mundësi të vendosen masa të reja shtesë për mbrojte të popullsisë? Ministri i shëndetësisë, Filipçe tha se tani për tani nuk nevojiten masa shtesë duke pasur parasysh faktin se edhe gjatë fundjavës së ardhshme do të ketë orë të vazhduar policore.
Mendojmë se nuk nevojiten masa shtesë restriktive në Prilep ose në ndonjë qytet tjetër apo komunë, këto masa janë të mjaftueshme. Masat për izolim në Dibër, ishin në momente kur nuk kishte masa të tjera, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Si masa shtesë, komuna vendosi ngjitëse para marketeve dhe bankave, në të cilat është shkruar “qëndro këtu” me çka përcaktohet distanca të cilën duhet ta respektojnë qytetarët, ndërsa në mbajtjen e rendit do të kyçet edhe armata. Atje ishin disa përfaqësues të Qeverisë.
“Para marketeve dhe bankave, në vendet ku ka më shumë rrëmujë, do të shihni pjesëtarë me uniforma të Armatës, detyra e të cilëve nuk është që të krijojnë frikë, por respekt te qytetarët me qëllim që të vendoset rendi i duhur”, tha Radmilla Sheqerinska, Ministre e Mbrojtjes.
“Numri i përgjithshëm është 75 raste pozitive prej të cilëve dy persona kanë ndërruar jetë, kështu që masat lokale do të vazhdojnë me intensitetin e njëjtë. Dua t’u falënderoj qytetarëve për këtë sakrificë, inkurajim dhe disiplinë që e demonstrojnë”, tha Bujar Osmani, Zv/kryeministër.
Me këto propozime në lidhje me gjendjen në Prilep, doli edhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski i cili kërkon që në këtë qytet të realizohet testim masiv për ta penguar përhapjen e virusit.
“Sa më shumë persona të testuar aq punëtorët shëndetësor do të mund t’u ndihmojnë të gjithëve. Bëj thirrje që edhe spitalet e tjera në Maqedoni të dërgojnë në Prilep personel mjekësor, para se gjithash, infektologë”, tha Aleksandar Nikollovski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Sipas numrit të të prekurve nga koronavirusi, para Prilepit me 75, janë Kumanova me 211 dhe Shkupi me 316.
