Qeveria teknike atëherë dhe tani për mua është antikushtetuese, sepse diçka të tillë nuk njeh Kushtetuta, deklaroi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova lidhur me mosmarrëveshjet aktuale mes pushtetit dhe opozitës nëse duhet të shfuqizohet Qeveria e Përzhinës, përcjell TV21. Megjithatë, ajo thotë se për këtë duhet të ketë debat dhe harmonizim mes partive politike. Siljanovska njëkohësisht foli dhe u pajtua që deputetët, por edhe funksionarë të tjerë të emëruar, të mos kenë shtetësi të dyfishtë.
“Për mua ndryshimet në Ligjin për Qeverinë që kanë të bëjnë me qeverinë teknike, si atëherë ashtu edhe tani, janë antikushtetuese. Pra, në vetë tekstin ligjor ekziston një dispozitë që qeveria teknike do të funksionojë në vitin 2016. Ne e kemi vazhduar funksionimin e saj. Do të doja që, pasi në këtë mënyrë u bënë ndryshimet e ligjit, edhe tani të bisedohet, të debatohet dhe të shihen anët e mira dhe të këqija”, pohoi Gordana Siljanovska Davkova, presidente.
