Presidenti Pendarovski në lëvizje! “Ligji i ri për legalizim, sulm ndaj sistemit”

TË FUNDIT

Me 72 vota PËR dhe 5 KUNDËR, deputetët dhanë dritë jeshile për Ligjin për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Ligji lejon legalizimin e nderimeve pa leje në rajonet e mbrojtura pas marrjes së pajtueshmërisë nga organet kompetente, ndërsa nuk janë përfshirë ndërtimet pa leje në kufijtë e rajonit të Ohrit, ndërtesat banesore pa leje, ndërtimet shtesë dhe mbi ndërtimet në objektet banesore. Ish kryetarja e Asociacionit të arkitektëve, Danica Pavllovska – Cigi, për TV21 thotë se ligji i tillë kryen sulm ndaj sistemit.

“Ne kemi vendosur sistem hapësinor urbanistik të cilin e ndjekim, përkatësisht planifikojmë dhe realizojmë strukturën tonë fizike dhe gjithçka që ndërtohet në hapësirën. D.m.th. një gjë e tillë e rrënon sistemin dhe për shkak se e minon, e shkel, në fakt shkatërrohet edhe atë pak që e kemi si ndërtim të organizuar, kontrolluar dhe planifikuar”, tha Danica Pavllovska.

Pesë deputet nga koalicioni në pushtet përmes letrës kërkuan nga Presidenti, Stevo Pendarovski, të mos e nënshkruajë Dekretin për Ligjin e ri. Nënshkrim në këtë shkresë kanë vendosur Monika Zajkova, Bobi Mojsovski, Maja Moraçanin, Mirosllav Bogdanovski, si dhe deputeti Pavle Trajanov.

“Tani, ata që kanë ndërtuar ndërtime të reja pa leje dhe objekte pa leje, përsëri amnistohen, përsëri legalizim dhe mendoj se kjo nuk ka fund. Atëherë shkaktohet kaos juridik dhe mos-respektim i ligjeve në vend. Sinjal të keq dërgojmë deri te qytetarët e ndershëm dhe ndërmarrësit. Më shumë se e qartë është se ka marrëveshje politike mes LSDM dhe VMRO-DPMNE. Andaj ne kërkojmë që Presidenti, Stevo Pendarovski të krijojë ekip për konsultime profesionale dhe propozojmë që ta kthejë prapa”, u shpreh Pavle Trajanov – deputet nga Lidhja Demokrate.

Nga Kabineti i Presidentit, për TV21 me përgjigje të shkurtër.

“Dekreti për shpalljen e Ligjit për konfirmimin e statusit juridik të nderimeve pa leje, dje është dorëzuar nga Kuvendi i RMV. Presidenti, Stevo Pendarovski, po e shqyrton tekstin e Ligjit, pas çka do të sjellë vendim dhe në kohë do ta informojë opinionin”, thonë nga Kabineti i Presidentit Stevo Pendarovski.

Nga Antikorrupsioni thonë se ky Ligj nuk është i dobishëm për shoqërinë dhe se do të parashtrojnë nismë deri te Gjykata kushtetuese për rishqyrtim të Dekreteve të këtij Ligji.

“Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit do të analizojë ligjin e ri dhe do të analizojë të gjithë dispozitat të cilat vlerësojmë se përmbajnë elemente korruptive dhe do ta dëmtojnë sistemin juridik dhe më pas do të ngritim nismë deri te Gjykata kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit”, theksoi Biljana Ivanovska – kryetare e KSHPK.

Sipas nenit 41 të këtij ligji, ndalohen proceset për shembjen e ndërtimeve pa leje, por ndërpriten edhe procedurat administrative dhe ata gjyqësore që janë në vijim dhe që dalin nga procedurat për largimin e objekteve dhe procedurat në lidhje me ndërtimin e ndërtesave pa leje. Mes atyre që përfshihen në këtë amnisti janë gazetari Dragan Pavlloviq Llatas, ish kryetari i komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, ndërtuesi i objektit të rrënuar te TQ “Mavrovasja” dhe ndërtuesi i ndërtimit pa leje tek Ambasada amerikane.