Presidenti bjellorus paralajmëron luftë nëse NATO rrëzon avionë rusë

TË FUNDIT

Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko ka dënuar ashpër deklaratat e fundit të NATO-s në lidhje me planet për të rrëzuar avionë rusë ose bjellorusë, duke i etiketuar ato “budallallëqe dhe të pamenduara”, duke paralajmëruar se çdo veprim i tillë do të përballet me një përgjigje “të menjëhershme”.

Lukashenko pretendoi se Minsku e kishte paralajmëruar Poloninë në lidhje me dronët që kaluan hapësirën e tyre disa ditë më parë dhe se vendet anëtare të NATO-s po i frikësojnë qytetarët me Rusinë dhe Bjellorusinë.

“Ata madje u habitën që i njoftuam. Pra, a do të rrëzojnë aeroplanët, helikopterët tanë apo ata rusë për shkak të kësaj? Nuk mund të veprosh kështu, fqinjët nuk veprojnë në atë mënyrë”, deklaroi ai.

“Le të përpiqen, le të qëllojnë. Ose do të qëllojnë diçka ruse mbi Kaliningrad. Atëherë, sigurisht, do të na duhet të luftojmë. A është e nevojshme kjo? Jo”, shtoi ai.

Më herët, ambasadori rus në Francë deklaroi hapur se në rast se vendet e NATO-s do të rrëzonin avionët e Moskës përgjigjja do të ishte luftë.