Pres që deputetët të tregojnë sjellje të burrështetasve, thotë Kovaçevski për ndryshimet kushtetuese

TË FUNDIT

-Ka filluar kapitulli i ri në rrugën tonë evropiane në të cilin duhet të dëgjohen reformat e mëtutjeshme për realizimin e qëllimit strategjik – anëtarësimit të plotfuqishëm në BE. Shansin që e kemi nuk guxojmë ta humbim, porositi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e përbashkët për media me sekretaren shtetërore franceze për Evropë, Lorans Bun.

Siç tha Kovaçevski, ekipi nga Maqedonia e Veriut është i përgatitur, ka dituri dhe ekspertizë dhe do ta përfundojë skriningun në afatin e paraparë prej 14 muajve.

“Qeveria mori vendime të guximshme, procesi i bisedimeve ishte i vështirë, por fakti që dolëm nga ai si vend i cili luftoi për pozicionet e saja, na bën veçanërisht krenarë”, theksoi kryeministri.

Ai foli edhe për ndryshimet kushtetuese, duke shprehur pritje se deputetët do të dëshmojnë, siç tha, sjellje të burrështetasve dhe do ta mbështesin miratimin e tyre.

“Mbeten ndryshimet kushtetuese , e di që vendimi i deputetëve nuk është i lehtë, por pres që ata të tregojnë sjellje të burrështetasve.  Sigurisht që ata kanë zgjedhjen të lënë gjithçka ashtu siç është, ta lënë vendin në stagnim dhe pasiguri, por kam besimin se do të jenë në nivelin e lartë të detyrës për të pasur të ardhme më të mirë për të gjithë ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Deputetët janë përfaqësues të qytetarëve dhe qytetarët duan të jenë pjesë e BE-së për shkak të përfitimeve të përgjithshme sociale, progresit ekonomik dhe demokracisë”, theksoi Kovaçevski.