Premton riorganizim në BFI, ik nga gazetarët! Reisi i ri ende s’tregon pse Rijaseti e shkarkoi Sulejman Rexhepin

TË FUNDIT

Tre ditë pasi Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame e shkarkoi kreun e saj Sulejman Rexhepi, ushtruesi i detyrës kryetar i BFI-së Shaqir Fetahu doli për të treguar se ndihet i nderuar që i është besuar ky funksion dhe paralajmëroi riorganizim të institucionit.

“Në të ardhmen do të merren disa hapa konkret për riorganizim të institucionit më të lartë, pritja dhe dëshira jonë është që Bashkësia Fetare Islame si një institucion serioz të merret si qendër referimi për të gjitha institucionet tjera” tha Shaqir Fetahu i cili që pardje ka marrë postin e ushtruzesit të detyrës së kryetarit të BFI-së.

E në fund, me dëshirën e tij, dhe nxitjen e atyre që kishte përreth, Fetahu iku pa u përgjigjur në pyetje të gazetarëve.

“Kryetar paralajmëruar ndryshime, pse s’po filloni me transparencën, me përgjigje në pyetjene  gazetarëve” e pyeti një nga gazetarët. “z.Fetahu, pse u shkarkua Sulejman Rexhepi, a ka një arsye?” pyeti një tjetër.

“Ec, ec, ec….” u dëgjuan t’i thonë anëtarët e Rijasetit, pas çka Shaqir Fetahu vetëm tha faleminderit dhe hyri në godinën e BFI-së.

Kështu as sot nuk u kuptua arsyeja se pse Rijaseti e shkarkoi ish-kryetarin e saj Sulejman Rexhepin.

Këtë nuk e thotë as vetë Rexehpi, i cili në Facebook postoi shkresën në të cilën shkruan se jep dorëheqje të parevokueshme nga posti i Reisit.

Shprehet i prekur sepse sipas tij kohëve të fundit kanë qarkulluar dezinformata dhe fushatë jociviluzuese ndaj tij, megjithatë lëvdohet për arritjet dhe gjurmët që ka lënë në BFI.

Të gjitha këto i konsideroj gjurmë të cilat e përcjellin karrierën time në BFI në RMV duke mos mohuar edhe ndonjë gabim që ka mund të më përvidhet gjatë punës e për të cilën kërkoj ndjesë nga Zoti dhe nga besimtarët. Për punën time deri në këto momente mbaj përgjegjësi përpara Zotit dhe përpara Ligjit” shkruhet në komunikatën e firmosur nga vetë Sulejman Rexhepi.

Por si është e mundur që kaq lehtë, pa dhënë arsye dhe pa rezistencë të shkarkohet Sulejman Rexhepi? Deri më tani janë bërë disa përpjekje për t’ia marrë postin, e askush s’kishte arritur. Ndër ta është edhe Skender Buzaku i cili ende pretendon postin e Kryetarit të BFI-së. Ditë më parë ai për TV21 tha se e gjithë kjo punë e shkarkimit të Rexhepit është një skenar i përgatitur dhe akuzoi Rexhepin e Fetahun për keqpërdorim të mjeteve të BFI-së, fitrave, haxhxhit dhe zeqatit.