Premtohet asfaltimi i rrugës së Lukovicës/ 15 milionë denarë nuk do të mjaftojnë për 6 kilometra rrugë

TË FUNDIT

Më në fund edhe fshati Lukovicë në komunën e Zhelinës do të bëhet me rrugë të asfaltuar. Ministria e Transportit ka ndarë 15 milionë denarë për këtë rrugë, por këto mjete janë të pamjaftueshme për ta shtruar të tërën. Sipas kryetarit të komunës Blerim Sejdiu me këto para do të asfaltohet vetëm një pjesë pasi që rruga ka 6 kilometra dhe mjetet nuk mjaftojnë.

“Ne kishim dhe një projekt për fshatin Lukovicë, ku nga qeveria, respektivisht Ministria na u transferuan 15 milionë denarë për këtë rrugë dhe me këto mjetë do të realizojmë njërën fazë për shkak se ky projekt është më i madh që ka një gjatësi 6 kilometra.”- deklaroi Blerim Sejdiu, kryetar i komunës së Zhelinës.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoja Boçvarski, u lëvdua se Qeveria i dëgjon qytetarët, andaj dhe ka reaguar shpejt.

“Në mënyrë të shpejtë reaguam për zgjidhjen e problemit të rrugës Lukovicës ku tashmë mjetet janë bartur në llogarinë e komunës dhe komuna në të ardhmen do të bëjë revizion në projektin konkret dhe do nënshkruajë procedurë tenderimi, njëkohësisht do të vazhdojnë edhe procedurat e tenderimit për projektet tjera që ka këshilli komunal i Zhelinës për realizmin e rrugëve tjera lokale”- pohoi Blagoja Boçvarski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Televizioni 21 para dy vitesh ishte në këtë fshat, ku në atë kohë në këtë fshat kishte vetëm 20 banorë, sipas të cilëve shkak i braktisjes së fshatit është mungesa e rrugës së asfaltuar.