Premtime pafund, pishina askund! Pishina e mbyllur në Kërçovë 3 vjet në fazën karabina

TË FUNDIT

Nisja e ndërtimit të pishinës së mbyllur në Kërçovë në vitin 2020 gëzoi plot banorë, por gëzimi i tyre tashmë është venitur.

“Kjo është një pishinë e mbyllur në qytetin e Kërçovës e cila ka filluar të ndërtohet në vitin 2020, afati i paraparë për përfundim ishte 18 muaj, por siç mund të shihet edhe pse jemi në vitin 2023 kjo pishinë ka mbetur në fazën karabina, d.m.th. nuk është ndërmarrë asgjë tjetër përveç vendosjes së paneleve anësore, pritet të shihet nëse këtë verë do të mundet që kërçovarët ta shijojnë freskinë e kësaj pishinë apo thjeshtë do të mbetet një premtim në letër”, raporton Salije Sadiku, gazetare TV21.

E një qytetar të cilin e takuam këtu rrotull është skeptik se pishina do të ndërtohet ndonjëherë.

 “Ka tre vite!

A mendoni se do të përfundojë?

-Asnjëherë, asnjëherë, kush do ta përfundojë ….ohooo”

Pishina e mbyllur, e para e këtij lloji në Kërçovë, është një investim nga Agjencia për Rini dhe Sport, që e kap vlerën 43 milionë denarë. Nga këtu zëvendësdrejtori Isak Lazami i tha TV21 se kompania që ka tenderin ka pasur probleme, por shton se shumë shpejtë do të fillojnë punimet.

“Kompania e cila po ndërton pishinën e mbyllur në Kërçovë, ka pasur problem andaj janë zvarritur punimet deri në këtë pikë. Ju informojmë se jemi në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë dhe pritët që në javët në vijim të fillojnë punimet sërish, pritet që deri në fund të viti pishina të jetë e përfunduar”, tha Isak Lazami, zv/drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport.

Sa për rikujtim, para 3 vitesh, për të vënë gurthemelet e këtij projekti, pat qenë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili pishinën e quajti investim që i ka munguar Kërçovës, ndërsa bashkë me kryetarin e Komunës, Fatmir Dehari premtuan realizim edhe më shpejtë se afati i caktuar kohorë.

 “Është një investim që i ka munguar komunës së Kërçovës, por njëkohësisht jepet edhe mesazhi se objekte të këtilla me rëndësi në veçanti për rininë e vendit tonë nuk ndërtohen vetëm në Shkup”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë (2020).

 “Në përmbylljen e tij siç e përmendi drejtori në dinamikën e paraparë pas 18 muajve, ndoshta edhe më herët të jetë dhe në shërbim”, tha Fatmir Dehari, kryetar i  komunës së Kërçovës (2020).

Afër pishinës gjendet edhe çerdhja e qytetit dhe shkolla fillore “Sande Shterjoski”, ku siç mund të shihni në pamje fëmijët kur dalin në oborr thithin erën e keqe të mbeturinave të cilat e kanë mbuluar këtë vend nga të gjitha anët. Kamera e TV21 duke xhiruar kapi momentin kur një banorë po vinte për të hedhur mbeturina dhe mbetje ndërtimore.