Prej sot në fuqi masa të reja në Greqi

TË FUNDIT

Në 16 rajone të Greqisë, të cilat konsiderohen si rajone me pasqyrë të keqe epidemiologjike dhe përhapje të madhe të Kovid-19, prej sot vendosen masa të reja, plotësuese restriktive, mes të cilave edhe orari i kufizuar i objekteve hotelierike, kafeneve, klubeve të natës, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në rajonet e Maqedonisë dhe Trakisë lindore dhe Atikës, në qytetet Selanik, Larisa, Volos, Katerini, si dhe në ishujt Korfuz, kretë, Mikonos, Paros, Santorini, Rodos, Andiparos, Zakintos, Poros dhe Kos në tubimet dhe ngjarjet publike apo shoqërore është lejuar prania e më së shumti 50 persona.

Prej sot, objektet hotelierike, kafenetë, klubet e natës dhe të ngjashme në rajonin e Atikës, rajonit më të gjerë të Athinës. si dhe ishujt përreth që i takojnë periferisë konkrete, është e ndaluar të punojnë nga mesnata deri në orën 7:00 në mëngjes, masë e cila tashmë është në fuqi në disa pjesë të caktuara të Greqisë.

Të shtunën u vendosën masa të posaçme në ishujt Paros dhe Andiparos dhe janë identike me ato që ishin vendosur në Poros, ku gjithashtu do të vlejë ndalesa për punë prej mesnate deri më 7:00 në mëngjes për objektet hotelierike dhe kafenetë, në tryezë është e lejuar të ulen nga më së shumti katër persona, janë ndaluar tubime të mbi nëntë personave, ndërsa maska është e obligueshme edhe në ambientet e mbyllura edhe jashtë.

Masat e reja u sollën në takimin që Micotakis e mbajti me ministrat kompetentë dhe epidemiologët të premten dhe do të jenë në fuqi deri më 24 gusht.

Lidhur me turistët, prej sot, për të gjithë ata të cilët do të arrijnë në Greqi me fluturime nga Suedia, Çekia, Belgjika, Spanja dhe Holanda, është i detyrueshëm testi molekular negativ PCR i bërë 72 orë para udhëtimit.

Njejtë vlen edhe për të gjithë ata të cilët hyjnë në vend përmes kufijve tokësorë, përfshirë edhe qytetarët grekë dhe ata të cilët kanë leje për qëndrim, ndërsa testi duhet të bëhet në vendin nga i cili hyjnë, e jo në Greqi.

Test i detyrueshëm negativ vendoset edhe për udhëtimet nga Izraeli, ndërsa në pajtim me udhëzimin e dhënë nga Agjencia greke për aviacion civil, vizitorët që janë banorë të përhershëm të Izraelit sërish do të testohen edhe në Greqi, ndërkaq që lejohen më së shumti 600 turistë në javë dhe atë vetëm në aeroportet në Athinë, Selanik, në Kretë dhe në Korfuz.

Prej dje, përmes vendkalimit kufitar Kakavijë, me Shqipërinë, sërish është lejuar hyrja e më së shumti 750 personave. ab/