Prefektja e Amsterdamit, Femke Halsema, propozon ndalimin e hyrjes së turistëve në kafenetë e famshme në qytet, ku shitet marihuana.
“Shumë turistë vijnë në Amsterdam vetëm për të konsumuar droga të lehta dhe turistët e tillë janë bërë të bezdisshëm”, deklaroi Halsema në televizionin publik.
Prefektja, Halsema, anëtare e Partisë së Gjelbër GrenLinks, është në detyrë që nga viti 2018.
“Amsterdami është një qytet kozmopolit dhe ne duam turistë, por do të dëshironim që ata të vinin për shkak të bukurisë dhe kulturës së tij”, tha ajo.
Kanabisi është teknikisht i paligjshëm në Holandë, por posedimi i më pak se pesë gramëve për përdorim personal është dekriminalizuar që nga viti 1976.
Halsema i propozoi Këshillit të Qytetit urdhëresë sipas së cilës në kafenetë me kanabis mund të futen vetëm ata që tregojnë pasaportë holandeze. Ajo shpreson se qyteti nuk do të jetë më destinacion për “turizëm të drogave të buta”.
Ka 570 kafene në Holandë ku mund të blini dhe konsumoni marihuanë, ndërsa vetëm në Amsterdam ka 166.
