PRANVERA PO KALON, SHATËRVANËT JASHTË FUNKSIONIT, NP “UJËSJELLËSI”: DO TË LËSHOHEN NË FUND TË JAVËS

TË FUNDIT

Ndonëse jemi në fund të muajit maj, ende asnjë shatërvan nuk është lëshuar në funksion në qendër të qytetit të Shkupit. Qytetarë dhe turist fotografohen, por shatërvanët janë të thata.

“Ndërsa kjo fontanë tokësore që nga vizita e Papës më 7 maj për shkaqe sigurie është mbuluar me material të fortë hekuri”, Valmira Zendeli, gazetare.

Qytetarët thonë se shatërvanët tashmë duhet të lëshohen, ashtu siç ka ndodhur në vitet e kaluara kur lëshoheshin më 1 prill.

“Ne jemi këtu me vite dhe shatërvanët gjithmonë janë lëshuar në kohë. Para 1 prilli i bënin gati i pastronin dhe me 1 prill ishin gati. Shumë më bukur duket edhe turistët kur vijnë bëjnë foto, shatërvanët i japin një pamje tjetër qendrës, por pse deri tash nuk janë lëshuar nuk e di”, tha një qytetar.

“Mendoj se ka nevojë të jenë të lëshuara sepse bukuria e shatërvanëve tregohet me ujin. Arsyeja tjetër është se këtu në Shkup ka shumë turistë dhe kur të shohin shatërvanin ajo normal duhet të ketë edhe ujë që të jetë adekuat ajo të cilën e shikojnë”, tha një tjetër qytetar.

“Ato duhet më herët t’i kishin lëshuar shatërvanët. Shikoni këtu problem është se askund nuk ka çezme. Kanë bërë gjithë këto shatërvanë ndërsa çezme nuk ka askund a shihni sa e madhe është hapësira”, shtoi një tjetër qytetar.

Përgjegjës për lëshimin e shatërvanëve është Ndërmarra publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”

Nga atje thonë se tani më 15 ditë  kanë punuar në nivelet më të ulëta tokësore duke i rregulluar mekanizmat që të punojnë. Drejtori i kësaj ndërmarrje Dushko Veskovski tha se nuk ka datë të caktuar se kur duhet të lëshohen shatërvanët në funksion, por zakonisht bëhet kur rriten temperaturat.

“Në periudhën e kaluar kishim aktivitetet të shtuara të cikloneve, paralajmërime për mot të keq në Shkup por për fat të mirë e gjithë kjo nuk ndodhi dhe e tejkaluam. Për shkak të erërave të forta dhe lëvizjeve të cikloneve vendosëm që javën e kaluar të mos lëshohen shatërvanët sepse mund të kishte dëme nga të gjitha anët ku ata janë të vendosura. Besoj se deri në fund të javës, në fakt jam i sigurt sepse tani sapo morra informata nga shërbimet dhe më thanë që shatërvanët do të lëshohen”, deklaroi Dushko Veskovski, drejtor i NP “Ujësjellës dhe Kanalizime”.

Veskovski gjithashtu tha se së shpejti nëpërmjet një tenderi do të zgjidhet kompani e cila do të merret me mirëmbajtjen e shatërvanëve në qendër të qytetit. Sipas projektit “Shkupi 2014” shatërvani më i shtrenjtë në Shkup është, ai në sheshin Maqedonia, i cili ka kushtuar 2.56 milion euro.

Përgatiti: Valmira Zendeli