Pragu prej 3% është i lartë, partitë e vogla kërkojnë anulim ose ulje për mundësi reale

TË FUNDIT

Partitë më të vogla politike janë për lista të hapura, por pa pragun prej 3%, siç para disa ditësh paralajmëroi kryeministri Zaev. Kryetari i PLD-së, Goran Milevski për emisionin “10 Minuta” në TV21 tha se për ta kjo është e papranueshme. Pranojmë prag, megjithatë ky prag të jetë real dhe tani ua lëmë LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së që të merren vesh mes vete se cili do të ishte ky prag real, tha Milevski.

“Pragu në mënyrë praktike që po propozohet prej 3% është i palogjikshëm dhe i pamundshëm për t’u bërë, për shkak se nëse dikush fiton 3%, atëherë vetë do ta bëjë listën, do shkojë bartës dhe do të fitojë dy këshilltarë, jo një, me tre për qind vota, fitohen 2 këshilltarë në disa komuna. Kështu që është e palogjikshme dhe ky prag është shumë i lartë. Nuk është njëjtë dikush të fitojë 20 mijë vota me atë që fiton 2 mijë vota. Dhe nuk mundeni të gjithëve tu vendosni census të njëjtë”, tha Milevski.

Zoran Zaev para dy ditëve paralajmëroi se në zgjedhjet lokale mund të shkohet me lista të hapura. Tha se për këtë ka marrëveshje mes LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI, por po pritet që të prononcohen edhe partitë më të vogla.

“Propozimi është që së paku të ketë prag prej 3%, d.m.th. kur kemi 16 mijë votues, 3% është diku rreth 500 votues, atëherë ajo preferencë e ngrit kandidatin, nga poshtë-lartë në listë. Partitë e vogla politike kanë rezerva, thonë të shohim nëse është praktike për ne, megjithatë janë parti më të vogla politike, megjithatë kanë vota të disperzuara”, tha Zaev.

Milevski sot ka qenë në takim në Ministrinë e drejtësisë me ministrin Bojan Mariçiq dhe nënkryetarin e VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski. Thotë se ka hasur në mirëkuptim por se nëse nuk e pranojnë këtë kërkesë të tyre, dyshon në sinqeritetin e partive që duan t’i hapin listat.

“Problem ishte te VMRO-DPMNE, tani VMRO-DPMNE e zhbllokoi sjelljen dhe tani ne kur kemi konsensus të përgjithshëm te 99% të partive politike që janë relevante dhe kanë peshë dhe të themi që një deputet është kundër, është e paqëndrueshme, por hap edhe dilema të tjera në sinqeritetin e realizimit të këtij procesi”, shtoi Milevski.

Ndryshimi i modelit zgjedhor me lista të hapura në formë deklarative është gjë e pranueshme për të gjithë partitë politike. Me model të tillë qytetarët në zgjedhjet lokale do të mund të votojnë për një kandidatë të caktuar në listën e këshilltarëve.