Presidenti portugez, Marsello Rebello de Sousa ka njoftuar se gjendja e jashtëzakonshme e vendosur për shkak të pandemisë së Covid-19, do të hiqet më 3 maj.
Kreu i shtetit, paralajmëroi se heqja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të thotë fundi i pandemisë, duke shtuar se ekonomia portugeze do të rifillojë përsëri në faza.
Deri sot, numri i personave të infektuar me koronavirusin e ri në shtet është 24.322, që paraqet rritje prej 295 krahasuar me ditën e djeshme.
Numri i të vdekurve në 24 orët e fundit është 20, me gjithsej 984 raste të vdekjes që nga fillimi i pandemisë. Pothuaj 1.400 njerëz janë shëruar. Shumica e rasteve të infeksionit janë në Portugalinë veriore.
Gjatë kohës të gjendjes së jashtëzakonshme, punonin vetëm dyqanet ushqimore dhe barnatoret.
Presidenti portugez paralajmëroi që rifillimi më gradual i ekonomisë do të jetë proces i ngadalshëm.
“Ajo që është e rëndësishme në këtë fazë të re, është që portugezët tashmë e dinë se parandalimi i përhapjes së epidemisë së tyre mbetet i rëndësishëm, kështu që ne duhet të ndërmarrim hapa të vegjël dhe vazhdimisht ta vlerësojmë situatën”, tha shefi i shtetit.
Gjendja e jashtëzakonshme u vendos më 18 mars./MIA
