Formulimin që e shfrytëzoi kryetarja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen gjatë vizitës së djeshme në vend, se ndryshimet kushtetuese duhet të përpunohen, hapi dilema, nëse është e mundshme që ndryshimet të jenë me prapaveprim, për të cilat insiston kryeministri Mickoski. Zv.kryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikollovski në Click Plus në TV21, tha se shihet mundësi e hapur që kjo të pranohet.
“Mendoj se kjo pozitë e jona po gjen mirëkuptim edhe me vetë atë që kryetarja e KE, von der Leyen qartë tha se duhet të përpunohen ndryshimet kushtetuese, mendoj se kjo flet shumë për atë se të gjithë janë të vetëdijshëm se Bullgaria nuk mundet në atë mënyrë të na kushtëzojë. Por përsëri topi është tek ata nëse BE-ja në mënyrë strategjike vendosë se Maqedonia i duhet si anëtare dhe jam i bindur se problemi me Bullgarinë shumë shpejtë do të zgjidhet”, tha Aleksandar Nikollovski.
Ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, pjesë e koalicionit VLEN, i cili tashmë disa herë përsëriti se është i bindur se ndryshimet kushtetuese do të bëhen deri në fund të vitit, në intervistë për Telma tha se von der Leyen ka dërguar shumë porosi të qarta për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe ai është optimist se megjithatë deri në dhjetor do të gjendet zgjidhje.
“Pas zgjedhjeve në Bullgari, shpresoj edhe pas 5 nëntorit të zgjedhjeve në SHBA, unë mendoj se do të gjendet zgjidhje, jam optimist i madh se do të gjendet ndonjë zgjidhje që do të jetë dalje për Maqedoninë nga ky qorrsokak në të cilin jemi dhe shpresoj se në dhjetor ne ngadalë do të fillojmë ndoshta edhe ndryshimet kushtetuese dhe do të fillojmë negociatat me BE-në”, dekalroi Arben Taravari.
Sipas ministrit për eurointegrime dhe kryenegociatorit me BE-në, Orhan Murtezani, ndryshimet kushtetuese mbeten, por mosrefuzimi i propozimit nga von der Leyen, domethënë se ka hapësirë për zgjidhje potenciale.
Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, edhe pse nuk u përgjigj saktësisht nëse janë të mundshme ndryshimet kushtetuese me prapaveprim, pohoi se BE mbetet në angazhimin për anëtarësim të vendit në Union.
“Ende duhet të punohet me ndryshimet kushtetuese, për mua kjo është shumë e rëndësishme dhe natyrisht në interes të RMV-së, të jetë e suksesshme dhe andaj dua që të ju siguroj se do të jemi me juve në çdo hap të rrugës që të arrijmë deri te qëllimi i përbashkët”, tha Ursula von der Leyen.
Në të njëjtën kohë arriti porosi edhe nga presidenti i Këshillit Europian, Sharl Mishel i cili në intervistë për Agjencinë gazetareske europiane deklaroi se nuk duhet të lejohet që Ballkani të bjerë në zonën gri. Ai përsëriti se nevojitet zbatimi i reformave, po edhe zgjidhja e kontesteve. Do të thosha se me shumë gjasa më të rënda janë kontestet, duhet që të zgjidhen për shkak se ata paraqesin pengesë për arritjen e progresit, ka thënë Mishel.
