Porosi me këngë nga sheshi “Skënderbeu”? Ahmetit sot nuk i funksiononin neuronet për politikë

TË FUNDIT

“Kush na vjen pa thirr n’oborr,
nuk i lëmë as vend për vorr”.

Këto ishin vargjet e një prej këngëve që buçiti sot në sheshin “Skenderbeu” në Shkup.

Kështu zyrtarë të shumtë të BDI-së, të prirë nga kreu i partisë Ali Ahmeti, e shënuan 556 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, mu tek monumenti i heroit kombëtar, shesh ku tash e ka zyrën e përbashkët Lidhja Europiane për Ndryshim, e cila po përkrahet nga Vetëvendosja e Kosovës.

Se a ishin kënga porosi për ndokënd, mbetet pikëpyetje, sepse kreu i BDI-së Ali Ahmeti, nuk ishte në disponim për të folur për çështje politike.

“Sot neuronet i kam vetëm për historinë e shqiptarëve, sakrificat e shqiptarëve. Për politikë sot neuronet e mia nuk funksionojnë.”- deklaroi Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.

Se kush ka shkelur në oborr të kujt, mbetet për t’u marrë vesh në të ardhmen, por Ahmeti u duk plot mikpritje e buzëqeshje kur në këtë shënim pa ministri e jashtëm të Shqipërisë Igli Hasani që po qëndron në vizitë zyrtare në vend. E përqafoi fort.

Në fjalim, Ahmeti tha që dita e sotme është dita e rezistencës nga periudha e pas vdekjes së Skënderbeut, për barazi të plotë të shqiptarëve në Maqedoni dhe çlirimin e Kosovës.

“Sot është ditë e shënuar, dita e Skënderbeut, dita e komandantit të gjeneralit të gjeneralëve, të Lëvizjes Çlirimtare Shqiptare. E rezistencës së madhe të pas vdekjes së Skënderbeut, që neve na shërbeu si frymëzim dhe na mbajti shpirtin gjallë, deri në çlirimin e Kosovës dhe barazinë e plotë të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”0 deklaroi Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.

Të pranishmit përkujtuan edhe rënien e heronjve Kadri Zeka e të vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla. 556 vjetori i vdekjes së Skënderbeut, u shënua edhe me program të Ansamblit Shtetëror të këngëve dhe valleve popullore shqiptare.