Poliklinika e Sarajit drejt përfundimit, Grubi dhe Bexheti në gjah për të marrë meritat

TË FUNDIT

Derisa banorët e Komunës së Sarajit po presin që të përfundojë Poliklinika e premtuar që në zgjedhjet lokale të 2017, funksionarët në gjah për të përvetësuar meritat. Pasi objekti është kah fundi Zv/kryeministri Artan Grubi dhe kryetari i kësaj komune Blerim Bexheti u përplasën se kush çfarë ka bërë. Dy ditë më parë Poliklinikën e vizitoi Grubi, i cili u lëvdua se objekti është kryer para afatit të paraparë.

“Tashmë pothuajse jemi në përfundim kanë ngelur vetëm të vijnë edhe mobilimet nga Shëndeti publik, disa kanë filluar t’i sjellin. Ujë po, dysheme po… të gjitha… Të gjitha. Fillimi i poliklinikës ka qenë në 2020, me kontratë e kemi deri në fund të vitit 2023 për ta përfunduar. Sipas asaj që më ke thënë projekti ka përfunduar shumë para kohë”, tha Artan Grubi – Zëvendëskryeministër.

Vizita e Grubit nuk i pëlqeu të parit të Sarajit, Blerim Bexhetit, të cilit i duket mjerim të promovohet projekt për të cilin, sipas tij nuk është ofruar fare kontribut

“Mjerim. Është vërtet dëshpëruese të shohësh dikë që promovon me entuziazëm një projekt pa ofruar asnjë kontribut për të. Poliklinika në Saraj ishte nevojë e kamotshme e banorëve të Komunës së Sarajit, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2017 por edhe ato të 2021, Poliklinika ishte një nga premtimet tona kryesore dhe projekt me prioritet në programin tim parazgjedhorë, projekt të cilin sot këta që po e promovojnë, e që dikur e sabotonin duke kundërshtuar kandidaturën time”, theksoi Blerim Bexheti – kryetar i komunës së Sarajit.

Siç shihet nga pamjet kjo shtëpi shëndeti ka filluar të mobilohet por e radhës është që të pajiset edhe me aparaturë mjekësore dhe personel. E kur përfundimisht do të lëshohet në funksion nuk dihet.

Poliklinika rajonale në Saraj prej 1.600 m2 do të përfshijë shërbime si ambulantë ditore për mjekësi familjare, stomatologji, pediatri, laboratori, dhomë rëntgeni dhe farmaci.

E njëjta do të jetë pjesë e Qendrës Shëndetësore në Shkup dhe do t’i shërbejë gati 45 mijë banorëve të këtij rajoni të kryeqytetit të cilët nuk kanë asnjë poliklinikë në komunë, ndërsa ajo më e afërta është në komunën “Gjorçe Petrov”.