Këto janë hapësirat e objektit të poliklinikës së Sarajit ku do të trajtohen pacientët e kësaj pjese të Shkupit.
Kështu duket nga jashtë ndërtesa me rreth 1.500 m2.
“Punët ndërtimore për poliklinikën e Sarajit siç duket edhe nga pamjet janë kah fundi, ndërkaq kjo poliklinikë do t’i shërbej rreth 45 mijë banorëve të kësaj zone”, raporton Almedina Ismajli, gazetare TV21.
Banorët kanë kohë që e presin një qendër mjekësore në vendbanim e tyre, por disa para kamerës së TV21 u shprehën skeptik se do të mbarojë së shpejti.
-A jeni të kënaqur për poliklinikën që po ndërtohet këtu?
-Po jemi edhe nuk jemi, Zoti e di kur do të bëhet ajo. Nuk kanë ujë në sy.
-A mendoni se do të vonojë?
-100%.
-Këtu e kam në shtëpi, në oborr, shpresoj ta lëshojnë që nesër.
-Mendoni se për shpejt kohë do të vihet në funksion?
-Po na kanë thënë për në gusht, e a do ta lëshojnë atë do ta shohim.
-Kemi pasur nevojë ne si fshatra këndej të Komunës së Sarajit që të kemi një poliklinikë.
-Ku shkoni për trajtim tani?
-Nëpër spitalet e Shkupit, e tash do të jetë një lehtësim i madh për ne.
Kishte edhe prej tyre që nuk ia kishin idenë se në fshatin e tyre po ndërtohet një poliklinikë.
-Të ju them të drejtën nuk ia kam idenë që po ndërtohet poliklinikë te ne, këtu në Saraj, lidhje nuk paskam, për herë të parë po dëgjoj.
Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, thotë se punët për procedurën e furnizimit publik për pjesën jomedicinale të poliklinikës do të përfundojnë për një muaj e gjysmë.
“Ajo në aspektin e ndërtimit ka mbaruar si projekt. Tani kemi filluar procedurën e furnizimit publik për pjesën jomedicinale të poliklinikës. Jemi në procedurë por besoj se do të zgjas minimum një muaj e gjysmë”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.
Edhe kryetari i Komunës Blerim Bexheti njëjtë na tha se të gjitha fazat që kanë ngelur do të përfundojnë në afat prej 45 ditësh, pas çka poliklinika pritet të vendoset në funksion për banorët. Sipas tij për disa muaj do të mund të pranojë pacientë.
“Procedura për personelin mjekësor dhe personelin tjetër ka filluar, domethënë nga shtëpia e shëndetit sipas rrugës ligjore deri të Fondi i Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Financave ku gjithashtu i kalon filtrat. Maksimum për 45 ditë, shpresoj dhe besoj se edhe më herët do të kryhen, por ky është afati përfundimtar kur duhet të kryhen. Edhe komuna atë pjesën tjetër që e ka ndarjen fizike të parcelës ndërtimore edhe atë e kemi iniciuar dhe të gjitha janë në fundin e vet”, pohoi Blerim Bexheti, kryetar i Komunës së Sarajit.
Në shkurt të vitit 2019 kryetari i komunës së Sarajit Blerim Bexheti bashkë me ish-zëvendësministrin e shëndetësisë Asim Musa u thanë banorëve të Sarajit se shumë shpejt do të bëhen me poliklinikë. Punimet duhej të fillonin po në 2019-tën por u prolonguan, sipas autoriteteve për shkak të situatës me pandeminë. Kjo ambulancë do t’i shërbejë gati 45 mijë banorëve të këtij rajoni të kryeqytetit të cilët nuk kanë asnjë poliklinikë në komunë, ndërsa ajo më e afërta është në komunën “Gjorçe Petrov”.