Policia polake me gaz lotsjellës i shpërndau huliganët dhe nacionalistët

TË FUNDIT

Policia polake sot intervenoi disa herë me gaz lotsjellës dhe plumba gome që t’i shpërndajë grupet e huliganëve dhe nacionalistëve në Varshavë.

Ata gjuanin drejtë policisë me pushkaliqe, gurë, shishe nga masa e pjesëmarrësve në Marshin për pavarësi, që radikalët dhe nacionalistët polakë e organizojnë në festën kombëtare të 11 nëntorit në Varshavë, transmeton Beta.

Për shkak të masave të pandemisë dhe sanitare, Marshi klasik i pavarësisë, kur dhjetarë mijëra nacionalistë marshonin përgjatë qendrës së Varshavës, ishte ndaluar nga autoritetet e qytetit, ndërsa gjykata e refuzoi ankesën e organizatorëve. Për shkak të asaj ata këtë vit e shënuan festën duke drejtuar automobila dhe motoçikleta të dekoruar me flamuj kombëtarë dhe simbole partiake.

Kryeministri Mateush Moraviecki u bëri thirrje polakëve që ta shprehin patriotizmin e tyre duke vendosur flamuj në dritare dhe ballkone dhe kërkoi që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa presidenti Andrej Duda tha se në mes pandemie, patriotizmi i vërtetë është përgjegjësia që të mos infektohen bashkëqytetarët.

Megjithatë, një grup nacionalistësh, bashkë me huliganë nga klubet e tifozëve të futbollit, u nisën në këmbë nëpër rutën e njëjtë të marshit,duke i ndjekur automjetet, edhe krahas paralajmërimit të organizatorëve se Marshi i sivjetmë i pavarësisë do të jetë vetëm i motorizuar.

Incidentet e para ndodhën në sheshin De gol kur shishe, gurë, pushkaliqe, rrethoja metali dhe trotinete elektrike ishin gjuajtur drejtë policisë, e cila, u përgjigj me gaz lotsjellës. Dhjetëra pjesëmarrës në trazirat janë arrestuar, konfirmoi zëdhënësi i policisë në Varshavë, Silvester Marçak.