Policia e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet e policisë së Maqedonisë se sulmuesit e një pike policore afër kufirit erdhën nga ana e Kosovës.
Persona të armatosur dhe të maskuar sulmuan sot një pikë të largët të policisë kufitare pranë Kosovës, ndërsa zëdhënësi i policisë maqedonase tha se sulmuesit duket se erdhën nga Kosova dhe flisnin shqip.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se policia e Kosovës është njoftuar nga autoriteteve maqedonase për këtë incident.
Kelani thotë se organet kosovare nuk kanë vërejtur ndonjë aktivitet të dyshimtë në afërsi të kufirit me Maqedoninë.
“Mund të konfirmojmë se gjatë realizimit të detyrave policore nuk është vërejtur asnjë element apo lëvizje e individëve apo grupeve të dyshuara nga Republika e Kosovës drejt Maqedonisë dhe anasjelltas”, tha zëdhënësi Kelani për mediat kosovare.
