Erben dhe Besnik Bojku mbrëmë vonë janë arrestuar në aksionin policor “I arratisuri” në rrugën rajonale Strugë-Dibër, në hyrje të fshatit Veleshtë.
“Mbrëmë rreth orës 21:45 minuta në rrugën Strugë-Dibër në hyrje të fshatit Veleshtë janë arrestuar dy persona. Njëri prej tyre kërkohej për vuajtje të dënimit me burg prej 21 vjetëve, kurse personi tjetër është arrestuar sepse ka poseduar armë.”, deklaroi Toni Angellovski, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Pjesëtarët e Njësitit Special pranë MPB-së në bashkëpunim me zyrtarët policorë të Repartit për hetime, i kanë gjetur vëllezërit, i kanë rrethuar me makina policore dhe i kanë privuar nga liria. Të dy kanë qenë të armatosur.
“Te të dy personat janë gjetur armë, menjëherë ishin arrestuar dhe ishin dërguar në stacionin policor”, tha më tej Angellovski.
Erben Bojku kërkohej me tre fletarrestime të brendshme dhe një ndërkombëtar me urdhër të Gjykatës Themelore në Strugë, për kryerjen e veprës penale – vrasje, tregti ilegale me armë dhe vepra të tjera penale. Besnik Bojku është arrestuar për armëmbajtje.
Në vitin 2017 kundër dy vëllezërve ishin ngritur padi penale, për sulm ndaj një gazetari i cili ishte korrespodent për gazetën e atëhershme “Dnevnik”.
Babai i të arrestuarve, Dilaver Bojku në gusht të vitit 2017 u qëllua për vdekje në Strugë. Ende nuk ka epilog lidhur me atë se kush e ka vrarë dhe si ndodhi një nga vrasjet më kontroverse në Maqedoni…
