Po përgatitet rishikimi i buxhetit! Opozita paralajmëron për mungesë likuiditeti, qeveria paralajmëron zgjidhje optimale

TË FUNDIT

Rishikimi i ardhshëm i Buxhetit ende nuk dihet se kur do të gjendet në seancë të Qeverisë, pasi ende po punohet në të. Aktualisht janë duke u zhvilluar konsultime mes Ministrisë së Financave dhe resorëve lidhur me projeksionet se nga do të shkurtohen dhe ku do të ridrejtohen mjetet. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se po bëhen përpjekje për të gjetur një zgjidhje optimale, me të cilën do të ketë mjaftueshëm mjete si për investime kapitale ashtu edhe për pagesën e pagave dhe obligimeve të tjera, ndërsa hedh poshtë akuzat e opozitës se likuiditeti i shtetit është vënë në pikëpyetje.

 “Pres që investimet kapitale deri në fund të vitit të vazhdojnë të realizohen, sepse e di cila është dinamika, dhe nga ana tjetër të ketë mjaftueshëm për paga, pensione dhe transfere sociale. Natyrisht, obligimet që i kemi këtë vit, bashkë me interesat, duhet të kthejmë 3 miliardë euro, disa borxhe të vjetra, kështu që në përgjithësi gjendja sigurisht që është e vështirë, por ne tani nuk do të dëshpërohemi”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.

Kreu i Lsdm-së, Venko Filipçe, sërish me qëndrime të kundërta, thotë se gjendja është krejtësisht ndryshe nga ajo që paraqitet dhe ka akuzuar se po mungojnë paratë në Buxhet, me ç’rast Qeveria e ka sjellë shtetin në një gjendje serioze financiare dhe me borxh të ri.

 “Shenja e fundit që tregon se e gjithë kjo që po e themi prej muajsh është e vërtetë është huamarrja e re e Qeverisë. Kërkuan 300 milionë euro sepse duhet ta mbushin gropën e madhe në Buxhet. Deficiti po rritet, inflacioni po rritet, ka një dallim të madh mes anës së të ardhurave dhe shpenzimeve. E gjithë kjo tregon se kjo qeveri po e udhëheq shtetin në mënyrë katastrofale dhe na pret një kolaps financiar”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Këto ditë, ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska-Koçoska, deklaroi se Buxheti është stabil dhe likuid, me ç’rast rregullisht po paguhen të gjitha obligimet si pagat dhe pensionet, por edhe obligimet ndaj ekonomisë. Ajo theksoi se rebalanci nuk do të ndikojë në zërat që ndikojnë në rritjen ekonomike, as në masat për mbështetjen e qytetarëve.