Po mbaheshin në karantinë pas dyshimeve për infektim me Omicron! Policia holandeze kap dy persona në tentativë për të ikur drejt Spanjës

TË FUNDIT

Dy persona që mbaheshin në karantinë në Holandë me dyshimin se bartnin variantin Omicron të COVID-19 u kapën në përpjekje për të ikur nga vendi me avion për në Spanjë.

Në një deklaratë të bërë nga Policia Mbretërore e Holandës (Koninklijke Marechaussee) në Twitter thuhet se dy nga 61 pasagjerët që mbërritën nga Afrika e Jugut më 26 nëntor dhe u futën në karantinë për shkak se kishin rezultuar pozitivë me COVID-19 u kapën duke u përpjekur për të shkuar në Spanjë.

Më tej thuhet se personat e kapur teksa avioni për në Spanjë po nisej, iu dorëzuan Shërbimit Shëndetësor të Bashkisë (GGD) për të vazhduar karantinimin.

Nuk dihet se si çifti, njëri nga Spanja dhe tjetri nga Portugalia, u arratisën nga hoteli i karantinës pranë aeroportit Schiphol. Autoritetet për mediat lokale thanë se janë të habitur me rastin pasi hyrjet dhe daljet e hotelit ku qëndronin çifti në fjalë ishin të ndaluara.

Mësohet se pas përfundimit të karantinës, ndaj çiftit do të niset një hetim për shkelje të rregullave të karantinës.

Instituti Shtetëror për Shëndetin dhe Mjedisin (RIVM), i lidhur me Ministrinë holandeze të Shëndetësisë, njoftoi se 624 pasagjerë që u kthyen në Holandë nga Afrika e Jugut më 26 nëntor u testuan për COVID-19 në aeroportin Schiphol dhe 61 prej tyre rezultuan pozitivë.

Gjithashtu deklarohet se varianti Omicron është zbuluar tek 13 nga 61 persona të cilët rezultuan pozitivë në testin e COVID-19.

MARKETING I PAGUAR POLITIK