Plot mjekë pa punë, ndërsa Spitali përballet me mungesë kuadri! Mbi 20 mjekë të përgjithshëm presin të punësohen në Kërçovë

TË FUNDIT

Mungesë kuadri mjekësor në Kërçovë, ndërsa mbi 20 mjekë janë të papunë.
Për të konfirmuar këtë situatë, ekipi ynë vizitoi Entin për Punësim në Kërçovë, ku kërkoi të dhëna mbi numrin e mjekëve të paraqitur si të papunë.
Udhëheqësja e Entit, Ardiana Cuculi Sejdini, bëri të ditur se aktualisht janë të evidentuar 18 mjekë pa punë
.

“Momentalisht në evidencën tonë persona aktiv që kërkojnë punë të paraqitur që kanë të kryer mjekësinë dmth mjekësinë e Përgjithshme janë të paraqitur diku 14 veta që kërkojnë punë aktive që paraqiten çdo muaj, pastaj kemi edhe që paraqiten në mënyrë pasive janë 4 mjek”, tha Cuculi Sejdini.

Por pavarësisht se në Entin për punësim janë paraqitur 18 mjekë të papunë, burime të TV21 thonë se në konkursin e fundit për pranimin e mjekeve në spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës janë paraqitur 24. Pyetëm ministrin e shëndetësisë Azir Aliun. Ai fajin e hedh tek qeveritë e kaluara për keqmenaxhim me riorganizimin e buxhetit.

“Gjithashtu ka ndodhur edhe me kapacitetet njerëzore, sot prodhohen gjithandej motra medicinale dhe mjek. Nga ana tjetër shëndetësia ka nevojë për këto, por nuk janë paraparë asnjëherë në buxhet për punësime, pra çka bëjmë që të anashkalohet ky problem shumëvjeçar dhe nuk mund ta zgjidhim shpejtë, por jemi duke bërë strategji nacionale me ministrinë e arsimit”, tha Azir Aliu.

Përveç mjekëve, në Kërçovë ka edhe një numër të madh magjistrash të profileve të ndryshme që janë të papunë. Sipas të dhënave të Entit për Punësim, aktualisht janë të evidentuar 31 magjistra të pa punë.

“Momentalisht kemi diku 28 kërkues aktivë edhe atë të drejtimeve të ndryshme, kryesisht drejtime ekonomike, shkencat e drejtësisë, pastaj industria ushqimore, gjuhet dhe të tjera. Te magjistrat momentalisht edhe pse mund të ndryshojë numri mund në moment të punësohet dikush të paraqitet dikush tjetër është 3 numri i kërkuesve pasiv të punës”, tha Cuculi Sejdini.

Në Komunën e Kërçovës, numri i përgjithshëm i kërkuesve aktivë të punës është 2.755. Shumica prej tyre janë përfitues të ndihmës sociale dhe, për të mos iu ndërprerë kjo ndihmë, paraqiten rregullisht.