Erë, borë ose shi, çfarëdo të ka e ndërpret energjinë elektrike në fshatin Pllasnicë dhe Pregllov.
Vjeshta dhe dimri janë bërë ankth për këto banorë të cilët druajnë se në çdo moment do t’ju ndërpritet rryma. Kjo situatë është prej vitesh, thonë banorët të cilët kërkojnë nga EVN të marrin masa për zgjidhje të përhershme të problemit.
Për këtë problem kontaktuam EVN-në, nga ku thonë: “Në periudhën dimërore, si rezultat i kushteve të këqija atmosferike në kombinim me vetë vendndodhjen e fshatrave, defektet në rrjetin në Pllasnicë dhe Pregllovë, për fat të keq, janë të pashmangshme. Pikërisht për këtë arsye, ekipet e Elektodistribucionit, përveç se riparojnë këto ndërprerje në kohën më të shpejtë të mundshme, njëkohësisht kryejnë aktivitete pune që parandalojnë shfaqjen e shpeshtë të defekteve. Defektet që ndodhën gjatë dy fundjavave të fundit në këto dy fshatra janë riparuar me sukses. Për shkak të motit të rëndë, defekte ka pasur në disa lokacione të tjera në shtet”.
Në këtë fshat ka edhe shkollë edhe ambulantë ditore të cilët kanë pasoja nga mospasja e rrymës edhe pse në shkollë ngrohen me lëndë djegëse sërish rryma është e nevojshme për pompën e nxehjes, ndërsa edhe mësimin nuk mund ta zhvillojnë në kushte normale për shkak të kompjuterëve dhe materialeve që duhet të merren online. Banorët kërkojnë riparim të rrjetit sa më shpejtë të jetë e mundur sepse siç pohojnë janë taksapagues të rregullt.
