Plenkoviq: Situata epidemiologjike në Kroaci është shumë serioze, së shpejti masa të reja

TË FUNDIT

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në mbledhjen e sotme të qeverisë konfirmoi se Shtabi për Mbrojtje Civile në ditët e ardhshme do të sjellë pako të re të masave me qëllim çrrënjosjen e virusit korona.

Plenkoviq tha se, edhe krahas asaj që rritja e numrit të të infektuarve tashmë nuk është aq e madhe sa në tetor, megjithatë numrat ditorë edhe më tutje janë të lartë.

“Masat e ngadalësuan përhapjen e epidemisë, por lakorja nuk filloi të bie në mënyrën në të cilën do të dëshironim të ndodhë”, tha Plenkoviq.

Ai theksoi se nevojiten përpjekje shtesë që të ulet ngarkesa e sistemit shëndetësor, transmeton portali Indeks.

Zëvendëskryeministri kroat dhe shef i shtabit për mbrojtje civile Davor Bozhinoviq tha se janë të gatshme opsione për vendosjen e masave epidemiologjike shtesë për gjithë Kroacinë, duke pasur parasysh rritjen e numrit të të infektuarve.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që ta ruajmë funksionin e sistemit shëndetësor”, veçanërisht të sistemit spitalor, theksoi Bozhinoviq.