Kjo hapësirë e përzier, private dhe publike, në qendër të Kumanovës është shndërruar në një deponi plehrash dhe materialesh inerte. Qytetarët, pa dashur të flasin para kamerës, thonë se vjen erë e keqe sa herë që kalojnë në shëtitore dhe se sheshi i qytetit duket i shëmtuar.
“Në mes të Kumanovës, gjendet kjo rrënojë, këto gërmadha tani e shumë vite. Për shkak të kontesteve pronësore-juridike nuk ka zgjidhje, ndonëse nga Komuna kërkojnë nga privatët, të cilët pretendon se i kanë uzurpuar këto hapësira, përmes procesit gjyqësor pritet të bëhet shpronësimi i tokave dhe në bazë të Planit detal-urbanistik, të ndërtohen godinat e komunës dhe të zhvillohen kapacitet e tyre, ndonëse akoma nuk ka zgjidhje dhe qytetarët kërkojnë që ky problem të rregullohet.”, raporton Adnan Qaili, gazetar i TV21.
As gjysmë ore pasi TV21 alarmoi në institucionet lokale për këtë problematikë, intervenuan shërbimet komunale për pastrim. Kamera jonë filmoi intervenimin e mbledhjes së mbeturinave, ndonëse qiramarrësit e dyqaneve përreth thanë se këto janë prej muajsh të hedhura aty. Ne e pyetëm edhe Kryetarin e Komunës së Kumanovës për këtë çështje. Maksim Dimitrievski tha se disa nga pronat janë legalizuar nga privati, të cilët janë paditur në gjykatë për shkelje të procedurave, ndërsa për pjesën publike të dhënë me koncesion kontratat u skadojnë vitin tjetër.
“Ajo është një shtëpi private familjare me më shumë prona private, që një pjesë e tyre, për fat të keq me Ligjin populist për legalizim, janë legalizuar. Pjesa tjetër e mbetur është në pronësi të Ndërmarrjes Publike për menaxhimin e hapësirave banuese dhe afariste dhe Komuna tani më 8 vite po udhëheqë procedurë për ta rikthyer në pronësi publike. Kjo parcelë për fat të keq është uzurpuar dhe me marrëveshje të paligjshme iu është dhënë nën udhëheqje të firmës private, e cila merret me shërbime të parkingut. Besoj se deri në vitin e ardhshëm do të arrijmë ta kthejmë këtë tokë në pronësi të Komunës së Kumanovës”, theksoi Maksim Dimitrievski, Kryetar i Kumanovës.
Por, edhe mbeturinat e hequra nuk ishin të mjaftueshme për të pastruar atë hapësirë. Madje erdhi edhe një ekip tjetër për ngarkimin e materialeve inerte nga pjesët e rrënuara të asaj godine të vjetër. Qytetarët shpesh shprehen të shqetësuar gjatë kalimit në trotuar pasi që thonë se ekziston rreziku i shembjes së atyre gërmadhave dhe rrezikimit të jetës së qytetarëve.
