Ora dhe ditët janë duke ecur shumë shpejt, prandaj shumë pak kohë kemi që të përgatitemi për vitin shkollor. Edhe pse platforma nacionale për mësim nga distanca u promovua, shumica e shkollave nuk kanë kompjuterë dhe internet stabil që mësuesit të mund ta realizojnë mësimin online nga 1 tetori.
Nga Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë thonë se mësuesit do të punojnë vetëm nëse kanë kushte për punë, ndërkaq alarmojnë se edhe ato pak shkolla që kanë kompjuterë, të njëjtit nuk janë të përshtatshëm për platformën.
“Pasi filloi testimi i platformës së re për mësim online, doli se kompjuterë ekzistues nuk janë të përshtatshëm, që do të thotë se nuk do të mund të lidhen në platformën e re. kemi informacione nga terreni, se shumë shkolla kryejnë anketa me mësuesit dhe i pyesin se nëse mund t’i shfrytëzojnë kompjuterët personal. Numri më i madh i mësuesve, mbi 90 për qind kanë theksuar se nuk mund t’i shfrytëzojnë për nevoja të punës për shkak se si ata kanë edhe fëmijë të cilët duhet të punojnë me të njëjtin kompjuter”, tha Jakim Nedellkov – Kryetar i SASHK-ut.
Që një arsimtar të blejë kompjuterë vetë, i duhet të shpenzojmë gjysmën e pagës së vet. Por sërish duhet internet i fortë dhe për këtë përgjegjëse janë shkollat, sepse edhe ashtu mësuesit orët online do të duhet t’i mbajnë në shkollë.
Por përveç mësuesit që do të ligjërojnë online, SAShK-u apelon edhe për mësuesit që do të duhet të mbajnë mësim me prani fizike. Meqë nxënësit do të duhet t’i ndajnë në dy grupe, apelojnë që të mbahet llogari që fondi i orëve të mos tejkalojë kufirin e orëve që prashihen me Ligjin për marrëdhënie të punës, në ndërkohë kërkojnë pagesë shtesë.
“Në asnjë formë nuk do të lejojmë dhe nuk do të pranojmë dyfishim të orës mësimore”
Apo pagesë më të madhe nëse dyfishohet?
“Kuptohet. Ajo është e rregulluar me ligj, se çdo punë shtesë duhet të paguhet në mënyrë shtesë. nëse shteti mendon se në këtë formë është më lirë, atëherë mësuesit me shumë gjasë do të pranojnë”, theksoi Nedellkov.
Mungesë të mjeteve teknologjike për mësim online kanë edhe 40 mijë nxënës, por për të njëjtit Ministria e Arsimit dhe Shkencës gjeti zgjidhje. Propozoi që mësimin ta ndjekin me prani fizike. Edhe kjo do të paraqesë aktivitet shtesë për mësimdhënësit të cilët njëkohësisht do të duhet të ligjërojnë edhe online edhe për këto nxënës me prani fizike.