Policia e Kosovës ,përmes një kumtese për opinion ka thënë se “ka marr në shqyrtim postimin e publikuar sot me 04.09.2015, nga “KosovaPress” lidhur me shprehjet dhe veprimet e punonjësit të Policisë, Togerit të apostrofuar, dhe distancohet nga një veprim apo sjellje e tillë dhe njëkohësisht për të gjithë ata gazetarë dhe mediume që janë ndier të fyer nga kjo sjellje, pavarësisht nga rrethanat e ngjarjes kërkojmë falje të sinqertë. Me këtë Policia e Kosovës tregon vendosmërinë se komunikimi i tillë nuk përkon me sjelljet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në raport me publikun.
E kemi konfirmuar disa herë dhe dëshirojmë ta ri-konfirmojmë se mediat në përgjithësi dhe gazetarët në veçanti çdoherë kanë qenë, janë dhe do të mbesin partnerë strategjik të Policisë së Kosovës në arritjen e objektivave tona për të garantuar një rend dhe siguri të përgjithshme në vend.
Ne ndër vite kemi pasur bashkëpunim të jashtëzakonshëm me të gjithë gazetarët në procese të ndryshme dhe vlerësojmë lartë punën dhe kontributin e tyre në prezantimin dhe promovimin e punës dhe rezultateve objektive policore për opinionin e gjerë.
Ne jemi të palëkundur në qëndrimin se bashkëpunimi me mediat dhe gazetarët do të vazhdoj të kultivohet edhe më shumë, do të promovohen vlerat, angazhimet dhe përpjekjet për një avancim të këtij bashkëpunimi dhe njëkohësisht ju informojmë se ndaj të apostrofuarit e kemi filluar procedurën e hetimit të brendshëm”, përfundon kumtesa e PK.
