Piloti 18-vjeçar Dilano van ‘t Hoff, vdes pas një aksidenti tragjik në garën e të rinjve

TË FUNDIT

Tragjedi në botën e automobilizmit. Piloti i ri holandez Dilano van ‘t Hoff, 18 vjeç, ka humbur jetën pas një aksidenti të ndodhur në xhiron e fundit të garës në Spa-Francorchamps, e vlefshme për fazën e katërt të kampionatit rajonal evropian Formula 3. 

Van ‘t Hoff u përplas nga një makinë tjetër në cirkuitin belg, teksa në pistë po binte një shi i dendur. 

Ai u ndal në mes të pistës dhe më pas u godit drejtpërdrejt nga një makinë që i erdhi nga pas. 

Dilano u nxor nga makina pa ndjenja dhe u transportua menjëherë në qendrën mjekësore, e më pas me urgjencë në spital, por mjekët megjithë përpjekjet nuk mundën të bënin asgjë. 

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Formula 1 dhe skuadrës së Ferrarit, duke i dërguar mesazh ngushëllimi familjes së pilotit të ri.