Vendosja e grafës për përkatësinë etnike në certifikatat e lindjes/vdekjes dhe ato martesore përkohësisht nuk do të jetë i vlefshëm. Kjo pasi që Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme të ndalesës për vendosjen e përkatësisë etnike në certifikatat e lëshuara nga Evidenca amë. Vendimi u mor me 5 vota “pro” dhe 2 “kundër, ndërsa nënkupton se deri në sjelljen e një vendimi të plotfuqishëm, Librat amë nuk do te mund të lëshojnë certifikata me grafën e përkatësisë etnike në të. Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese është se vendimi për udhëzimin e ri është publikuar me vonesë në Gazetën Zyrtare.
“Duke pasur parasysh se ndalohen aktivitetet për zbatimin e udhëzimit, gjegjësisht gjatë periudhës derisa gjykata Kushtetuese nuk sjell vendim përfundimtar për këtë lëndë, nuk guxon të jepen certifikata të tilla. Po përgatitet referat i ri me atë që është e paraparë në rregulloren se si duhet të shkojnë procedurat e gjykatës Kushtetuese, gjegjësisht përgatitje të një referati që do të përmbajë propozim për shfuqizim ose anulim të asaj që është sjellë”- deklaroi Hristina Bellovska, zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese.
Pas këtij vendimi, ministri i drejtësisë Krenar Lloga tha se Kushtetuesja hapi kutinë e Pandorës, pasi shkelje të tilla kushtetuese janë bërë nga shumë institucione të ndryshme të cilat e kanë shkelur afatin për publikim në Gazetën Zyrtare e që nuk janë shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese. Lloga paralajmëroi nisma kushtetutshmërie për të gjitha vendimet e publikuara me vonesë në Gazetën Zyrtare.
“Jam i lumtur që ndodhi kjo me udhëzimin që kam nënshkruar unë që të dalin në pah edhe shumë parregullsi tjera që janë bërë ndër muaj e vite. Para jush keni të gjitha Gazetat Zyrtare të javëve të fundit ku shihet se është shkelur afati kushtetues”- tha Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.
Lloga nuk heq dorë nga vendimi sepse thotë se nuk është në kundërshtim me Ligjin për Evidencën Amë, ndërsa kërkoi nga Kushtetuesja vendim të shpejt mbi këtë udhëzim, që të rinisë procedurën nga e para edhe njëherë.
“Nuk duhet të blihet kohë me masën e përkohshme por ftoj gjykatën Kushtetuese që të njëjtën edhe ta hedh poshtë, në ndërkohë paralajmëroi se do të ketë një udhëzim plotësisht të ri ku do të përsëritet e njëjta gjë dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe do të mbesë në fuqi”.
Deri më tani në certifikata ka pasur të vendosur grafën vetëm për shtetësinë dhe jo për kombësinë.
