Petkov së shpejti në Shkup! Bullgarët e maqedonisë thirrje Sofjes: Mos bëni tregti me të drejtat tona

TË FUNDIT

Mos bëni asnjë lëshim në lidhje me çështjen që  ka të bëjë me barazinë tonë, kjo nuk guxon dhe nuk duhet të jetë lëndë e negociatave, thuhet në letrën e shoqatave të bullgarëve të Maqedonisë që ia kanë dërguar Sofjes zyrtare.

Ata e kanë bërë këtë hap pasi lideri i partisë “Ka një popull të tillë”, Sllavi Trifonov para dy ditëve  propozoi që SHBA-të t’i heqë vizat për Bullgarinë me qëllim që të hyjë në zonën Shengen, ndërsa si kompensim të hiqet vetoja për Maqedoninë e Veriut.

“Mos bëni lëshime për çështjen e barazisë sonë. Kjo nuk mund dhe nuk guxon të jetë lëndë e  negociatave, ndërsa garancia e tij nuk mund të jetë premtim bosh për një ardhmëri të pasigurt. Procedura kushtetuese për regjistrimin e bullgarëve të Maqedonisë duhet të fillojë menjëherë. Bullgarët duhet të përmenden në mënyrë të barabartë dhe eksplicite mes popujve të tjerë brenda Kushtetutës së RMV-së“, thuhet në  mes tjerash në letrën e shoqatave  bullgare në RMV dërguar në Sofje.

Letrën  që e publikoi agjencia bullgare BGNES, e nënshkruan disa shoqata të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, nga Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Koçani dhe qytete të  tjera.

E gjithë kjo po ndodh pas paralajmërimeve intensive se kryeministri i ri bullgar, Kiril Petkov do të vijë në Shkup për vizitë zyrtare.

Siç publikoi agjencia BGNES, këshilltarja e kryeministrit bullgar, për politikë të jashtme, Vesella Çerneva, më 2 janar e ka vizituar Shkupin.

Kryeministri bullgar, Kirill Petkov paralajmëroi se pas formimit të qeverisë së Maqedonisë, do të zhvillojë takim me kryeministrin e ri Dimitar Kovaçevski.

“Duhej që brenda këtyre ditëve të realizohej  ky takim, megjithatë  vendosëm se duhet të  realizohet pas formimit të qeverisë së re te ne, përkatësisht në gjysmën e dytë të janarit, ku duhet në mënyrë zyrtare të realizohet komunikimi  i cili edhe tani ekziston, megjithatë do të duhet të caktohen planet dhe pozitat e Francës në lidhje me angazhimin e saj në këtë proces”, theksoi Bujar Osmani, MPJ (03.01.2022).

Sipas paralajmërimeve, presidenti i Bullgarisë Rumen Radev pritet ta thërrasë Këshillin këshillëdhënës për siguri nacionale më 10 janar për të biseduar për kornizën e relacioneve me Maqedoninë e Veriut.