Petkov ka kërkuar shpjegim për incidentet, Kovaçevski ia ka dhënë numrin privat për çfarëdolloj incidenti tjetër

TË FUNDIT

Kryeministri bullgar Kiril Petkov dje e ka telefonuar kryeministrin e vendit tonë, Dimitar Kovaçevskin, me të cilin kanë biseduar në lidhje me dy incidente.

“Deshi të informohet për dy incidente të cilat kanë ndodhur në vendin tonë. Njëri ka të bëjë me lulet e shkatërruar në varrin e Goce Dellçevit, ku e informova se MPB në përputhje me procedurat e rregullta ka ndërmarrë veprime hetuese dhe rasti i dytë ka të bëjë me xhamin e thyer në Manastir, ku sipas kumtesës së MPB nuk bëhet fjalë për incident politik, por për incident i cili ka qenë i motivuar nga arsyet private ku personi që e ka kryer veprimin tashmë ka dhënë deklaratë”, deklaroi Kovaçevski.

Petkov duke komentuar dëmtimin e luleve të delegacionit bullgar, ka thënë se çdoherë do të ketë provokatorë. Përndryshe, gjatë vizitës së Petkovit në vendin tonë gjatë hapjes së zyrës së Agjencisë bullgare të Lajmeve janë dakorduar me Kovaçevskin që për çdo incident që vlerëson se përbën gjuhë të urrejtjes, posaçërisht ndaj zyrës së Agjencisë, lirisht t’i lajmërohet.

“Ai tha se nëse rastësisht ka ndonjë vandalizëm të tillë ose diçka në lidhje me atë Zyrë në bazë të disa grupeve që dëshirojnë ta bëjnë ngjarjen negative, Dimitar Kovaçevski tha – dëshiroj që menjëherë personalisht të më informoni dhe ma dha numrin e tij të telefonit. Kjo do të jetë mënyra sipas së cilës do ta trajtojmë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin”, u shpreh Petkov.

Kovaçevski, pyetjes se a kanë biseduar edhe për zgjidhjen e çështjeve të hapura politike, tha se nesër dhe pasnesër duhet të mbahet takim i MPJ-ve të dy shteteve.

“Ministritë për Punë të Jashtme janë të angazhuar për bisedime në atë pjesë dhe më datë 10 dhe 11 do të kenë takim, ministria jonë për punë të jashtme dhe MPJ bullgare. Ata do të bisedojnë edhe për çështjet e hapura. Nëse arrihet progres, nëse është i pranueshëm, sigurisht për të dy palët në bazë të vlerave evropiane, në bazë të respektimit të dy palëve, atëherë atë gjë do ta kumtojë Ministria për punë të jashtme”, shton Kovaçevski.

Përndryshe prej asaj që tashmë është dakorduar, më datë 11 janar duhet të realizohet fluturimi nga Sofja në Shkup, pas çka do të vendoset edhe linjë e rregullt mes dy qyteteve. Përndryshe kjo marrëveshje është arritur pas takimit të mbajtur mes delegacioneve të Ministrive për transport të Maqedonisë dhe Bullgarisë.