Për shkak se ditëve të fundit po dëgjoj pohime të rrejshme se qeveria ka dy politika të jashtme, do të doja të thosha qartë se Bullgaria ka tre kërkesa të qarta për progresin e Maqedonisë së Veriut. Këtë e tha kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov pas takimit me eurokomisarin për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varheji.
“Së pari, respektim i kornizës që u miratua në Kuvendin e Bullgarisë. Së dyti, përfshirje e bullgarëve të Maqedonisë së Veriut në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, që të mbrohen të drejtat e tyre. Së treti, të zbatohet marrëveshja për fqinjësi. Është e thjeshtë dhe e qartë këtë që po e deklaroj para jush dhe gëzohem se kishim bisedime konstruktive me z. Varheji“, pohoi Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.
Ai i tha Varhejit se ka pasur dialog konstruktiv. Punojnë së bashku për të parë nëse ka mundësi që BE-ja të jetë garantues për këto tre kushte.
“Vazhdimisht po kthehem në Sofje, e kjo do të thotë se ende nuk ka zgjidhje, gjë që na shkakton frustrime nëse mund të them kështu, për shkak se nuk mund të vazhdojmë me procesin e aderimit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së pa pëlqimin e të gjitha vendeve anëtare ndërsa ende po e presim përkrahjen e Bullgarisë dhe punojmë në atë drejtim”, deklaroi Oliver Varheji, eurokomisar për Zgjerim.
“Përkrahja për ardhmërinë evropiane të Maqedonisë së Veriut do të përforcohet. Gjatë këtyre muajve, Këshilli evropian në qershor është datë shumë e rëndësishme në kalendarin tonë dhe duam të shohim marrëveshje të dakorduar në këto momente të rëndësishme. Ja se pse po takohem me kryeministrin, sot në mëngjes zhvillova takim edhe në MPJ, u takova edhe me presidentin“, deklaroi Kiril Petkov, kryeministër.
Pasi dje “Ka një popull të tillë” i Slavi Trifonovit u tërhoq nga koalicioni, sot në Kuvend dorëheqje dha edhe ministrja e jashtme Teodora Gençovska. Ajo në intervistë për TVB tha se ka stenograme në të cilat Kiril Petkov ka biseduar me diplomatë evropianë mbi temën për Maqedoninë. Gençovska shtoi se bëhet fjalë për dokumente të klasifikuara që rruhen në ministrinë e jashtme.
“Unë nuk e di. Nuk kam marrë pjesë në të gjithë bisedimet e kryeministrit Kiril Petkov me diplomatët. Ndoshta fjalën e keni për takime me ambasadorë. Nuk kam marrë pjesë në bisedimet e tilla por në bisedime me përfaqësues të institucioneve evropiane, ata na njoftuan se ka sinjale të tjera nga kryeministri“, tha Teodora Gençovska, ministre e Jashtme e bullgarisë.
Në intervistën e fundit si ministre e jashtme, Gençovska porositi se politika e jashtme nuk duhet të varet nga partitë politike.
