PET-Scan jashtë funksionit! Pacientët me kancer prej dy muajsh paguajnë privat

TË FUNDIT

Pacientëve me kancer nuk u ndahen hallet!

Sa u siguruan llojet e terapive që ju mungonin, tani është prishur skaneri i vetëm në pronësi publike, që diagnostikon tumoret.

“PET-Scan” që gjendet në Institutin Universitar për Tomografi me Emetim Pozitronesh prej 2 muajsh është me defekt.

Një pjesë e pacientëve janë të detyruar të kërkojnë mundësi jashtë vendit ose në spitalet private, ku një skanim kushton rreth 1,300€.

TV21 ishte në sallën ku gjendet ky skaner që zbulon dhe lokalizon tumoret, përcakton nëse dhe ku është përhapur kanceri dhe nëse terapia ka efekt, gjë që u ndihmon mjekëve të vendosin se si të vazhdojë trajtimi.

 “Ky PET-Scan që po shihni këtu është jashtë funksionit tani më e dy muaj, sipas drejtorisë deri në fund të gushtit do të riparohet i njëjti, i cili ka kryer shërbimin e rreth 15 pacientëve në ditë, procedurë e cila është goxha e kushtueshme nëse bëhet nëpër spitalet private”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

Nga Institutit Universitar për Tomografi me Emetim Pozitronesh kumtojnë se servisimi i kësaj pajisje bëhet çdo 5 vjet dhe se procesi i skanimit do të vazhdojë sapo të eliminohen të gjitha defektet dhe të respektohen të gjitha kushtet për funksionimin e saj të pandërprerë, siç kërkohet nga protokollet.

INSTITUTIT UNIVERSITAR PËR TOMOGRAFI ME EMETIM POZITRONESH:

-Ky është një problem në prodhimin e radio-izotopeve. Servisuesi i autorizuar po punon intensivisht për këtë problem dhe janë ndërmarrë të gjitha hapat për ta vënë ciklotronin në funksion sa më shpejt të jetë e mundur. Në dy muajt e fundit kemi pasur disa probleme aktive të njëpasnjëshme, siç është një problem me Valvulën e Vakumit të Lartë (HVV) të sistemit të vakumit, një problem me efikasitet të dobët të burimit jonik dhe servisimin e pompës së difuzionit të sistemit të vakumit.”

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë informuar Klinika e Onkologjisë për kryerjen e triazhit të mëtejshëm përmes metodave të tjera diagnostikuese, me qëllim që trajtimi të mos ndërpritet dhe mos të ketë pasoja shëndetësore tek këta pacientë.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË:

-Duhet theksuar se problemi buron nga një neglizhencë shumëvjeçare. Gjatë viteve të kaluara nuk është zbatuar në mënyrë të vazhdueshme protokolli për mirëmbajtjen parandaluese të pompës së difuzionit, duke përfshirë pastrimin e saj të rregullt dhe ndërrimin e vajit çdo pesë vjet. Kjo gjendje është pasojë e mangësive sistemore të akumuluara gjatë një periudhe të gjatë. Menjëherë pas konstatimit të gjendjes, drejtuesit aktualë ndërmorën masa për tejkalimin e problemit.

Në periudhën nga 2023-2025 janë realizuar rreth 6.500 udhëzime, mesatarisht rreth 180 incizime në muaj. Autoritet e shohin si të domosdoshme nevojën për një skaner të dytë, i cili akoma nuk dihet se kur do të sigurohet, megjithëse për pajisjen e dytë është siguruar edhe hapësira në këtë Institut.