Pesë ditët e kaluara numri i të infektuarve të rinj nga Covid-19 është nën 10% nga të testuarit

TË FUNDIT

Gjatë pesë ditëve të kaluara numri i rasteve të reja me Kovid-19 është nën 10 për qind e pacientëve të testuar. Në fillim të javës ishin bërë 860 teste, prej të cilëve 78 pacientë rezultuan pozitivë në virusin korona. Pastaj ditën e ardhshme (25 gusht) numri i testeve u rrit në mbi 1.700, por numri i pacientëve të infektuar ishte 127. Në ditët e fundit kishte raste kur përqindja e të infektuarve të rinj nuk ishte më e madhe se pesë-gjashtë për qind. Kështu që dje ishin bërë 2.018 testime, ndërsa janë regjistruar 159 raste të reja me Kovid-19. Përveç numrit të ulur të të infektuarve me virusin korona, për dallim të periudhës paraprake, në ditët e fundit është regjistruar edhe shërim i rritur i pacientëve të infektuar nga Kovid-19.

Edhe më tutje numri më i madh i të infektuarve aktivë nga Kovid-19 është regjistruar në Shkup (854), pastaj vijon Kumanova (356), pastaj Gostivari (230) dhe Shtipi dhe Tetova me nga (175 pacientë aktivë me virus korona).

Ndryshim drastik me Kovid-19 është regjistruar edhe në komunat e Shkupit. Këtu edhe më tutje me numër më të madh të rasteve aktive 117 është Komuna e Çairit, shumë më mirë se periudhën e kaluar kur numri i të infektuarve me virusin korona në këtë komunë i tejkaloi 400 pacientë. Pas Çairit, me numër më të madh të të infektuarve me Kovid-19 është Komuna Aerodrom (105), Gazi Baba (102) dhe pastaj vijojnë Kisella Voda, Karposhi, Qendra, Buteli, etj.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, gjatë vizitës së djeshme në Makedonska Kamenicë, theksoi se tani për tani nuk janë paraparë masa të posaçme për mbrojtje nga Kovid-19 në Rajonin e Malishevisë, ku në javët e kaluara në mënyrë konstante po rritet numri i të sëmurëve nga virusi korona. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me situatën me pandeminë në Dellçevë, Berovë, Pehçevë dhe Makedonska Kamenicë, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se nuk janë paraparë masa restriktive shtesë për këto komuna.

“Tani për tani nuk parashohim masa të tilla për komunat e këtij rajoni. Por ne kemi plan, megjithatë ai plan, sipas të gjitha gjasave, do të jetë në fuqi dhe mundësi të intervenohet në muajt e vjeshtës, kur sistemi shëndetësor pritet të mbingarkohet, si me pacientë me Kovid-19, ashtu edhe me grip sezonal dhe sëmundje të tjera të cilat i okupojnë repartet e njëjta si pacientë”, tha Filipçe.