Mbretëria bullgare si ndjekëse e verbër i politikës së Hitlerit, e ka ngritur në nivel të legjislacionit për zgjidhje përfundimtare fatale çështjen e hebrenjve në Maqedoni, thotë Skender Asani, drejtor i ITSHKSH. Kjo është mundësuar me të ashtuquajturin Ligj për mbrojtjen e kombit.
Por, jo të gjithë në Mbretërinë bullgare kanë pasur mendim të njëjtë, shpjegon prof. Dr Vllado Popovski në veprën “Legjislacioni bazik mbi antisemitizmin i Mbretërisë bullgare” në tre gjuhë, së bashku me autorët Skender Asani dhe Nora Maliqi Zulali. Popovski rikujtoi qëndrimin e një personazhi të rëndësishëm, mitropolitit të Sofjes.
“Ishte një prej kundërshtarëve më të mëdhenj nga opinioni për një ligj të tillë, siç ishte Ligji për mbrojtjen e kombit, i cili ligjërisht ka kryer jo vetëm vjedhje ekonomike dhe degradim social, por i solli, siç e quante opozita, turp kombit që nuk do të harrohet në histori”, tha Vllado Popovski.
Instituti për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore i shqiptarëve përmes veprave të tilla ka për qëllim të konsolidojë mendimin shkencorë dhe kritik për proceset e komplikuara, theksoi autori Skender Asani.
“Legjislacioni bazik mbi antisemitizmin i Mbretërisë bullgare është vepër unike me karakter të tillë në rajonin tonë dhe më gjerë për shkak se për herë të parë merret me interpretim të detajuar të legjislacionit të një vendi të caktuar. Në këtë rast të Mbretërisë bullgare si shkelës i Ligjeve të Nurembergut që kanë karakter të përgjithshëm për të sanksionuar kryerësit e krimeve gjatë kohës së Luftës së dytë botërore”, deklaroi Skender Asani – Drejtor i ITSHKSH.
Hebrenjtë e Maqedonisë me dhunë janë nxjerrë nga shtëpitë e tyre, janë dërguar në monopolin e Shkupit, me destinacion përfundimtarë Treblinkë.
“E gjithë kjo ndoshta nuk do të ndodhte nëse paraprakisht nuk ishin sjellë ligje të caktuara me përmbajtje anti-semite nga ana e Mbretërisë bullgare, që në fund në mënyrë legale qytetarët tanë, të afërt, 7 144 hebrenj të dëbohen më 22, 25 dhe 29, mars të vitit 1943”, u shpreh Vesna Susha – hulumtuese.
ITSHKSH ka punuar dy vjet për përgatitjen e monografisë “Legjislacioni bazik mbi antisemitizmin i Mbretërisë bullgare” me të cilën zbulohet e vërteta se çfarë i ka ndodhur hebrenjve.
